Një incident i rëndë ka ndodhur të enjten rreth orës 13:30 në objektin e Komunës së Prishtinës, ku një person ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ahmet Krasniqi”, kur i dyshuari Muhamet (Emin) Namani, rreth 42 vjeç, kishte hyrë në objekt pa respektuar rregulloren e rendit të brendshëm dhe kishte refuzuar urdhrat e policëve që kujdeseshin për sigurinë.
Pas kundërshtimeve verbale, ai ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë me grushte, duke u shkaktuar atyre lëndime trupore.
Sipas të njëjtave burime, viktimave u është ofruar ndihmë mjekësore në vendngjarje, ndërsa edhe i dyshuari ka marrë trajtim mjekësor pas arrestimit.
Rasti është trajtuar nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Prishtinë dhe, në konsultim me prokurorin kujdestar, është cilësuar si “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, në bazë të nenit 402 të Kodit Penal të Kosovës. Me urdhër të prokurorit, Namani është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
