Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i saj kanë dalë fitues në zgjedhjet parlamentare, duke garantuar formimin e qeverisë së re, raporton ATV.
Para selisë së VV-së, Kurti u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre në këtë proces demokratik.
“Falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës sonë për pjesëmarrjen në këto zgjedhje të para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë. Procesi zgjedhor ka qenë i lirë, demokratik dhe i ndershëm, pa incidente, dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe procedurave,” tha Kurti.
Ai tha se Vetëvendosje, në koalicion me Partinë GUXO dhe Partinë Alternativa, ka dalë forcë e parë politike dhe do të formojë qeverinë e ardhshme.
“Ky është një konfirmim për qeverisjen tonë demokratike dhe progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, pra qeverinë Kurti 3”, u shpreh ai.
Kurti gjithashtu kritikoi fushatën e kundërshtarëve politikë, duke i akuzuar për përdorim të madh të mjeteve financiare dhe premtimeve të pabazuara.
“Përkundër përpjekjeve të oligarkëve dhe fushatës agresive ndaj nesh, populli ka fituar. Vetëvendosja ka fituar dhe do të vazhdojmë punën tonë për të mirën e vendit”, përfundoi ai. /atvlive.tv
Deklaratën e plotë të kryeministrit Kurti e gjeni në videon më poshtë: