Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike të arritur për tejkalimin e krizës institucionale dhe ka mbështetur nominimin e profesor Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Në një deklaratë pas mbledhjes, LDK-ja ka bërë të ditur se vendimi është marrë në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe procedurat e saj vendimmarrëse.
“Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së; dhe kështu mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës”, thuhet në njoftim.
Sipas LDK-së, marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e presidentit, por edhe me tejkalimin e krizës institucionale dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.
“Për LDK-në, ky proces nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi. Ai lidhet, para së gjithash, me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional”, theksohet tutje.
Kryesia e LDK-së ka vlerësuar se Sejdiu i përmbush kriteret për të ushtruar detyrën e presidentit, duke përmendur përvojën e tij si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
