Kryeprokurori i Prokrurorisë Speciale, Blerim Isufaj sot në drekë do të mbajë një konferencë për media.
Prokuroria Speciale ka njoftuar për orën e konferencës, por pa e bërë të ditur arsyen, raporton Gazeta Express.Ju njoftojmë se sot, 11 shtator 2024, duke filluar nga ora 12:00, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, do të mbajë konferencë për media. Konferenca do të mbahet në sallën në katin e VI-të, në objektin e PSRK-së, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se “me gjasë” arsyeja është ngritja e një aktakuze për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë Afrim Bunjaku.
Blerim Isufaj sot konference per media ne ora 12. Me gjase sot ngritet aktakuza ne rastin Banjskë. Shpresojme se prokurori Naim Abazi e ka kryer rastin ne menyren me profesionale te mundshme”, shkroi Miftaraj në një postim në Facebook.
Kryeministri Albin Kurti e ka kritikuar vazhdimisht Prokurorinë që “përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë” nuk ngriti aktakuzë për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Milan Radoiçiq më 29 shtator e kishte marrë përgjegjësinë për atë sulm, përmes avokatit të tij.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e akuzoi atë me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Por ai u la i lirë nga Gjykata e Lartë në Beograd. U tha se i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar ardhja në Kosovë.