Gati 3 dekada më parë, për shumëkë liria mendohej vetëm si “dritë në fund të tunelit”.
Mirëpo, kur shpresat pothuajse kishin mbaruar për të qenë të lirë, më 12 qershor të vitit 1999, aleatët e NATO-s sulmuan caqet serbe në Kosovë, duke çliruar kështu vendin nga okupimi serb.
Prej atëherë, çdo 12 qershor, liderë e qytetarë të Kosovës shprehin mirënjohje për intervenimin e NATO-s.
Njësoj ishte edhe të mërkurën, që u festua 25-vjetori i çlirimit të Kosovës.
Aktivitetet për këtë ditë filluan që në mëngjes, e vazhduan më pas me parakalimin e trupave të forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë.
Të ndarë në regjimente e kokën lart, 1500 ushtarë e policë u nisën nga sheshi “George Bush”, drejt sheshit “Skënderbeu”.
Për lirinë që Kosova gëzon, gjatë ceremonisë së parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë, foli ish-sekretari i NATO-s, George Robertson, i cili po ashtu ngriti një paralele për luftën në Kosovë me atë çka po ndodh në Ukrainë.
“Pas 78 ditë të bombardimeve, ne e pamë objektivin tonë të plotësuar. Ushtria e Millosheviqit u largua, NATO-ja hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi. Jam krenar për atë se çka bëmë atëherë, dhe krenar që jam sot këtu, në Kosovën multietnike dhe paqësore në zemër të Evropës”, tha Robertson.
Falënderues për UÇK-në e të lumtur për ushtrinë e re e policinë profesionale, u shprehën edhe krerët e shtetit.
UÇK-ja ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës, gratë dhe burrat trima morën armën për ta mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Por udhëtimi ynë drejt lirisë nuk ishte i vetëm, ne u mbështetëm nga aleatët tanë”, tha Osmani.
“Liria e Kosovës dhe dita e çlirimit të saj, erdhi nga lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Përfaqësues Politik i të cilës ishte pikërisht Baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga ndihma e shteteve aleate të NATO-s, që pasi e bombarduan për 78 ditë Jugosllavinë e Serbisë e Serbinë e Millosheviqit”, tha Kurti.
Në Kosovë, për 25-vjetorin e çlirimit nuk mungoi as William Walker.
“Jam këtu për të festuar me të gjithë shqiptarët, me të gjithë kosovarët e po ashtu edhe serbët. Çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo, është fantastike”, tha Walker.
Që arriti ta përjetojë lirinë, i lumtur u shpreh edhe Rifat Jashari, si përfaqësues i familjes më meritore që dha gjithçka për liri.
“Më i kënaqur nuk jam kanë kurrë që e arritëm edhe çlirimin e Kosovës, është derdhur gjak, por është paguar ata gjak, dhimbje s’ka veç krenari. Urime gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha Jashari.
Të emocionuar e krenarë me Ushtrinë dhe Policinë u shprehën edhe qytetarët.
Aktivitetet për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kanë vazhduar deri në orët e mbrëmjes së të mërkurës. /atvlive.tv