Pas më shumë se 40 ditëve, të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve që janë mbajtur me 9 shkurt të këtij viti, shkruan Gazeta Express.
Një proces i gjatë jo vetëm në numërimin e votave, por edhe në shpalljen përfundimtare të tyre, morri epilog sot në mbledhjen që KQZ mbajti, ku nëntë vota ishin pro, e dy të tjera, më saktësisht ato të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ishin kundër certifikimit.Megjithatë, procesi përfundoi, duke i hapur kësisoj rrugën krijimit të institucioneve të reja.
Me t’u votuar certifikimi, është hapur rruga për krijimin e legjislaturës së re të Kuvendit.
Institucioni përmes të cilit vazhdojnë hapat tjerë është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Duke u bazuar në Kushtetutë si dhe Rregulloren e Kuvendit, presidentja, pas certifikimit, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.
Në këtë seancë, deputetët e rinj marrin mandatin e tyre, duke bërë betimin, e të cilët pastaj edhe zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët.
Pozita kryesore në Kuvend, e që është karriga e kryeparlamentarit i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje, në këtë rast LVV-së.
Më pas, partitë e tjera, ato që janë më të mëdha propozojnë dikë nga grupet e tyre parlamentare, për nënkryetar. Përveç këtyre, pozita e nënkryetarit u takon edhe deputetëve të komunitetit serb dhe atyre të komuniteteve joshumicë.
Në anën tjetër, me t’u certifikuar rezultatet, ka pasur reagim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti në deklarimin e tij ka thënë se nuk nevojitet akti i dorëheqjes, edhe pse ligji për Qeverinë obligon anëtarët e Qeverisë që kanë fituar votat e mjaftueshme për postin e deputetit që të japin dorëheqje.
‘‘Në përputhje me nenin 29, par. 1, nënpar. 1.4 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mandati i secilit anëtar të Qeverisë po ashtu përfundoi më 23 mars, bashkë me përfundimin e mandatit të Qeverisë, pa pasur nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes prej posteve të tyre përkatëse sipas nënparagrafit 1.3 të po të njëjtit paragraf dhe nen’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Po ashtu, ai ka deklaruar se qeveria do të vazhdojë të kryejnë detyrat që ata kanë duke respektuar ‘‘plotësisht kufizimet e parashikuara’’.
‘‘Në këtë rast, Ligji parasheh që Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, duke respektuar plotësisht kufizimet e parashikuara nga neni 30 të Ligjit të lartcituar, si dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë (që në popull quhet Kurti 2) do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve’’, ka shkruar Kurti.
Në certifikimin përfundimtar të rezultateve, prinë Lëvizja Vetëvendosje me 42.30%, Partia Demokratike e Kosovës e dyta me 20.90%, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 18.27 për qind, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA 7.06 për qind, kurse Lista Serpska 4.26 për qind.