Kosova, po përballet me një krizë të heshtur në tregun e punës.
Instituti GAP, ka publikuar sot raportin “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë – potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, duke nxjerr në pah një problem që rrezikon të thellojë pasigurinë sociale dhe ekonomike të vendin tonë.
Sipas të dhënave të këtij raporti, Kosova ka shkallën më të lartë të jo-aktivitetit në Ballkanin Perëndimor, ku vetëm 43% e popullsisë në moshë pune janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 57% janë të pasivizuar, transmeton IndeksOnline.
Shqetësues, është fakti se 66% e të papunëve janë gra, duke theksuar përfundimisht një pjesëmarrje tepër të ulët të grave në tregun e punës, ku Kosova renditet e para në Evropë dhe e pesta në botë për këtë fenomen.
Në mesin e të rinjve, 30% (rreth 78 mijë) nuk janë të angazhuar në asnjë aktivitet, duke krijuar një grup të papërdorur të fuqisë punëtore që mund të ishte kyç për zhvillimin ekonomik. Ky nivel është shumë më i lartë se mesatarja e BE-së (9.9%), dhe më i larti në rajon.
Raporti i GAP-it nxjerr në pah se emigrimi dhe jo-aktiviteti i fuqisë punëtore janë dy forca që po përkeqësojnë problemin, duke kërkuar urgjentisht politika më efikase që mund të kthejnë fuqinë punëtore të humbur dhe të aktivizojnë potencialin e papërdorur të qytetarëve të Kosovës.