-0.4 C
Pristina
E martë, 20 Janar, 2026

Kongresmenia amerikane: Trump është mendërisht i paqëndrueshëm, duhet të aktivizohet amendamenti i 25-të

Kongresmenja demokrate nga shteti amerikan i Arizonës, Yassamin Ansari, paralajmëroi sot se letra e Presidentit të SHBA-së Donald Trump drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gar Stort, në të cilën ai e kritikon atë për mosdhënien e Çmimit Nobel për Paqen, tregon “paqëndrueshmëri serioze mendore” të Trump dhe kërcënon jetën e qytetarëve amerikanë.

Ansari, në një postim në rrjetin social X, theksoi se në një situatë të tillë, duhet të zbatohet amendamenti i 25-të i Kushtetutës së SHBA-së, i cili lejon shkarkimin e presidentit për shkak të pamundësisë së tij për të kryer detyrat e tij.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara është jashtëzakonisht i sëmurë mendërisht dhe kjo vë në rrezik jetën e të gjithëve. Amendamenti 25 ekziston për një arsye dhe ne duhet ta zbatojmë atë menjëherë “, theksoi kongresmenia Ansari.

Trump më parë shprehu pakënaqësinë e tij në një letër drejtuar kryeministrit norvegjez që nuk iu dha Çmimi Nobel për Paqen, duke deklaruar se tani mund të përqendrohet në atë që, sipas mendimit të tij, është “e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Duke pasur parasysh që vendi juaj nuk donte të më jepte Çmimin Nobel për Paqen për ndalimin e tetë luftërave, nuk ndihem më i detyruar të mendoj ekskluzivisht për paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë dominuese”, theksoi Trump.

Në letër, presidenti amerikan deklaroi se Danimarka nuk mund ta mbrojë Groenlandën nga Rusia dhe Kina dhe se NATO “duhet të bëjë diçka për SHBA-në”.

Amendamenti i lartpërmendur i Kushtetutës së SHBA-së lejon shkarkimin e presidentit ose marrjen e përkohshme të kompetencave të tij nëse presidenti bëhet i paaftë të kryejë detyrat e tij, qoftë për shkak të paaftësisë fizike apo mendore, me pjesëmarrjen e zëvendëspresidentit dhe shumicës së anëtarëve të Kabinetit ose Kongresit.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME