Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme por e brishtë. Ai tha se 4600 trupa në kuadër të KFOR-it që vijnë nga 28 vende partnere dhe anëtare të NATO-s janë gati t’i përgjigjen çdo lloj sfide. Gjeneralmajori Ulutash nuk e komentoi kërkesën e pak muajve më parë të kryeministrit Albin Kurti për trupa shtesë por tha se në varësi të situatës mund të rishohin dislokimin e trupave shtesë.
“NATO rishikon vazhdimisht qëndrimin e saj dhe mbetet e gatshme ta rregullojë atë sipas nevojës ose ta përshtasë. Përmes një rritjeje prej 1000 trupash, NATO vendosi forca shtesë rezervë në Kosovë pas dhunës që ndodhi vitin e kaluar. Për të parandaluar çdo rrezik të përshkallëzimit ose rritjes së përtërirë të dhunës, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi sfidave të mundshme. Nëse është e nevojshme, ne mund të rregullojmë qëndrimin tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, tha Ozkan Ulutas, komandant i KFOR-it.
Në lidhje me paralajmërimet e disa agjencive të huaja të inteligjencës për ngritje tensionesh në veriun e Kosovës, komandanti i KFOR-it siguron se janë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdolloj sfide.
“Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët jemi në koordinim të ngushtë”, theksoi Ulutas.