Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, do t’ua dorëzojë sot dekretet e shtetësisë së Kosovës dy personaliteteve të njohura amerikane, Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit.
Ceremonia e veçantë do të mbahet në orën 11:00, në kabinetin e ushtrueses së detyrës së presidentes.
“Në orën 11:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një ceremoni të veçantë ua dorëzon dekretin e shtetësisë së Kosovës, Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi njihen për angazhimin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës dhe çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Joe DioGuardi, ish-kongresist amerikan, në vitin 1989 themeloi Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, organizatë që për vite me radhë ka lobuar në Uashington për të drejtat e shqiptarëve dhe për çështjen e Kosovës.
Edhe Shirley Cloyes DioGuardi ka qenë një prej zërave të angazhuar në promovimin e çështjes së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në SHBA.
