17.6 C
Pristina
E premte, 18 Tetor, 2024

Ish-Prokurori Hoxha: Radojçiq me terroristët e tjerë mund të gjykohen në mungesë

Ish-prokurori Sylë Hoxha duke folur për procesin e gjykimit të 42 personave të akuzuar për sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se terroristët, përfshirë Milan Radojçiqin, të akuzuar për terrorizëm, mund të gjykohen në mungesë.

Hoxha ka theksuar nevojën për përmbushjen e kushteve të parashikuara në nenin 303 të Kodit të Procedurës Penale, duke siguruar që të gjitha procedurat të zhvillohen pa pengesa dhe në përputhje me ligjin.
“Po, vetëm se duhet të përfillen dispozitat e nenit 303 të Kodit të Procedurës Penale, dhe të gjitha ato pika që janë paraparë, duhet të përmbushen disa kushte”, ka thënë Hoxha në RTV Dukagjini.

“Tani, me këtë kod, nuk kemi pengesa të zhvillohet në procedura normale dhe pa pengesa, dhe pa dilema”, ka shtuar ish-prokurori.

Hoxha gjithashtu e vuri theksin në cilësinë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale, duke theksuar se hetimi dhe përgatitja e rastit janë përfunduar në një afat rekord, duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë dhe seriozitetin e rastit.

“Është gjithashtu cilësore për nga përmbajtja. E kam thënë se është përfunduar edhe në një afat rekord, duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë dhe seriozitetin e rastit, pasi kanë qenë shumë persona të involvuar. Ka munguar bashkëpunimi me shtetin fqinj, ku jetojnë shumica e të akuzuarve. Si dhe është dashur që prokuroria e shtetit të dërgojë shumë ekspertë jashtë vendit për të pritur në mungesë të disa laboratoreve në Kosovë”, ka shtuar Hoxha.

“Gjykata Supreme e ka kryer punën e saj, dhe unë besoj se nuk ka asnjë arsye për t’u ankuar në Supreme. Pasi kodi i procedurës është mjaft i qartë, dhe gjykatësi i vetëm, si dhe kryetari i trupit gjykues, duhet të përmbushin disa kritere që unë besoj se prokurori i ka përmbushur para se të ngritë aktakuzën. Duhet të shtrihen ato masa, thirrjet, urdhër-arresti, urdhër-arresti i brendshëm, dhe ai ndërkombëtar, që të mos ketë pengesa”, ka thënë më tej Hoxha.

Kujtojmë se 45 persona në krye me Millan Radojçiqin akuzohen nga Prokuroria Speciale për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here