Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka vënë një ultimatum të ashpër Bashkimit Evropian: ose të realizojë një premtim për investime masive prej 600 miliardë dollarësh në SHBA, ose të përballet me tarifa ndëshkuese prej 35%, shkruan EuroNews.
Ky kërcënim, që rrezikon të ndezë një konflikt të ri tregtar transatlantik, buron nga një marrëveshje e arritur mes Trump dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Trump theksoi se arsyeja pse kishte ulur tarifat në 15% ishte pikërisht ky zotim, dhe dështimi për ta përmbushur do të sillte pasoja të menjëhershme.
Pala amerikane, përmes një flete faktesh të Shtëpisë së Bardhë, e cilëson këtë shumë prej 600 miliardë dollarësh si një investim shtesë, përveç rreth 100 miliardë dollarëve që firmat evropiane investojnë tashmë çdo vit në SHBA.
Kjo kërkesë, sipas tyre, duhet të përmbushet deri në fund të mandatit të dytë të Trump.
Megjithatë, zyrtarët e Bashkimit Evropian e kundërshtojnë këtë interpretim. Komisioni Evropian ka sqaruar se nuk ka autoritetin ligjor për të detyruar apo garantuar investime nga sektori privat.
Një zyrtar i lartë e përshkroi shifrën si një “tregues” që bazohet në “qëllimin e kompanive private” dhe jo një premtim i detyrueshëm nga ana e BE-së si institucion publik.
Ndërkohë që tensionet rriten, Komisioni Evropian ka ndërmarrë një hap pajtues duke pezulluar një paketë kundërmasash ndaj mallrave amerikane me vlerë 93 miliardë euro, e cila ishte planifikuar të hynte në fuqi më 7 gusht.
Ky veprim u bë për t’i lënë kohë negociatave që po zhvillohen për të formalizuar marrëveshjen e arritur në Skoci mes dy liderëve. /Korrespodenti