Bedri Bytyçi, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale në Malishevë ka ngritur një valë kritikash ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij, për pjesëmarrjen e tyre në paradën e komunitetit LGBTQ+.
Në një postim në rrjetet sociale, ish-kandidati i cili momentalisht shërben si imam në një fshat të Malishevës ka shprehur indinjatën dhe zhgënjimin e tij për këtë veprim, duke e konsideruar atë të papranueshëm për shumicën myslimane të vendit.
Ai premton edhe hakmarrje politike ndaj Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme, raporton Paparaci.
“Haram vota jonë, që iu dham me dorën tonë! Qysh ndiheni kur ktheheni te familjet tuaja kur ata iu pyesin: Ku ishin? Kush janë ata? Hmmm ata janë:….Çfarë përgjigje keni! Shpejt vjen dita e zgjedhjeve!
Ama, 95% mysliman, e me qit në krye një njeri që ta promovon atë që jo vetëm Islami si fe, por të gjitha fetë qiellore e kundërshtojnë pa hezitim. Vallahi, bilahi, tAllahi jemi popull për studim! Hajt se hataja ma e madhe zgjatë 2 ditë! Harrojmë! Turpi ju mbuloftë siç i ka mbuluar plot para jush që promovonin degjenerimin e tillë!”, shkruan Bytyçi.
Kritikat e tij janë pjesë e një debati më të gjerë që zhvillohet në Kosovë dhe në shumë vende të tjera rreth të drejtave dhe pranimit të komunitetit LGBTQ+.
Ndërsa disa mbështesin përpjekjet për barazi dhe respekt për diversitetin, të tjerë, si ky imam, e shohin këtë si “degjenerim”.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti pas pjesëmarrjes në paradën e sivjetme, tha se Kosova është demokratike dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilën e secilin.
“Republika jonë është demokratike. Nuk e përjashton asnjërin dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilën e secilin. E është pikërisht barazia që na e mundëson bashkimin, pamundëson përjashtimin dhe sjell gjithëpërfshirjen”.
Kryeministri ka dhënë shpjegime edhe për sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”.
“Slogani “Kemi qenë dhe do t’jemi”, jep mesazhe të dashurisë, të të drejtave, pa paragjykimeve. Parada e krenarisë afirmon diversitetin dhe kundërshton stigmatizimin”.
“E ndryshmja reflekton larminë e qenies sonë njerëzore, jo shkakun a arsyen e diskriminimit të tjetrit”, ka shkruar tutje Kurti.
Parada e ka përmbyllur Javën e Krenarisë në Kosovë, e cila ka nisur më 3 qershor./Paparaci