‘Hallakamë’ në RTK: Nesër protestohet para Kuvendit për krizën financiare

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës janë pa paga.

Televizionit publik nuk i janë ndarë mjetet, pasi Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar.

Megjithatë, praktikat e mëparshme ia mundësojnë kryeministrit në detyrë që nëse ka vullnet, t’i ndajë mjetet. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri sot.

Duke qenë se në RTK janë disa sindikata, është krijuar një ‘hallakamë’ e madhe.

Sindikata e Pavarur e RTK-së që drejtohet nga Fadil Hoxha, këshilltari i drejtorit Hundozi, pra dy personat në krye të RTK-së aktualisht, kishte paralajmëruar grevë e protestë. Por, dje njoftuan se ajo është anuluar.

Kjo pasi theksuan se kanë marrë garancione që shumë shpejt do të ketë një zgjidhje.

“Ritheksojmë se thirrja për protestë mbetet në fuqi nëse ditëve në vijim nuk kemi një zgjidhje konkrete për problemin financiar të RTK-së. Për çdo zhvillim të mëtejshëm, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Hoxhës e cila protesonte për secilin vendim në të kaluarën, tash e anuluan protestën pasi po pretendojnë se kanë marrë garanca për zgjidhje të situatës.

Kure, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së që drejtohet nga Gëzim Bimbashi, ka paralajmëruar protestë për të mërkurën.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar në konferencën për media të mbajtur më 22 korrik, në rast se deri më datën 5 gusht nuk ka pagesa për punëtorët, do të fillojmë protestat. Prandaj, SPERTK konfirmon se protesta fillon më: E mërkurë, 6 gusht 2025 Ora 11:00 Para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës Për detaje të tjera rreth organizimit dhe zhvillimit të protestës, do të ju njoftojmë nesër, një ditë para mbajtjes së saj. Kërkesat tona janë të drejta dhe të panegociueshme. Ne nuk do të ndalemi deri në realizimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Është kjo hera e parë që nga përfundimi i luftës, që RTK-ja mbetet pa buxhet.

E në këtë kohë, drejtori i TV-së në RTK, ish-anëtari e militanti i zellshëm i Vetëvendosjes, Rilind Gërvallia, vendosi të godasë mediat ‘hibride’ e të flas për dinjitet, ngjashëm siç flet ish-shefi i tij në parti, Albin Kurti.

“Këto media hibride — portale që vetëprezantojnë veten si gardianë të së vërtetës, ndërsa mbjellin përçarje e dyshim — për vite të tëra kanë ushqyer një narrativë agresive për mbylljen e RTK-së, e kanë përqeshur ekzistencën e saj si ‘tepër burokratike’, ‘e tejkaluar’, apo ‘e kapur’, ndërkohë që vetë kanë funksionuar në mënyrë të pakontrolluar, pa standarde profesionale, e shpeshherë si megafonë të interesave të padukshme të mafisë dhe oligarkëve. Dhe ja tek vjen kriza — ajo financiare, strukturore, njerëzore. Në vend që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme, përmirësim të brendshëm apo mbrojtje të integritetit të RTK-së si pasuri publike, këto media shfaqen papritmas si ‘zëra kritikë të përgjegjshëm’, duke simuluar një lloj solidariteti që në thelb është vetëm një strategji tjetër për të minuar besimin ndaj institucionit”, ka shtuar Gërvalla.

Deri më tash ka pasur reagime nga organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare që kanë kërkuar që buxheti t’i ndahet RTK-së, nga partia VV nuk ka pasur lëvizje.

Rreth 700 familje kanë mbetur pa paga.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here