Gjermania ka testuar me sukses për herë të parë një raketë balistike izraelite në Atlantikun e Veriut, në një zhvillim që shënon zgjerim të rëndësishëm të kapaciteteve të saj ushtarake.
Bëhet fjalë për sistemin LORA, të prodhuar nga kompania izraelite Israel Aerospace Industries (IAI). Testimi u krye gjatë natës nga një anije e Marinës Gjermane dhe raketa arriti objektivin me saktësi të lartë.
Për testimin, dy fregata gjermane ishin vendosur në zonën detare mes Irlandës dhe Islandës. Përgatitjet ishin mbajtur kryesisht të fshehta, ndërsa trafiku detar dhe ajror ishte paralajmëruar paraprakisht për zonën e testimit.
Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, LORA ka rreze veprimi deri në 500 kilometra. Gjermania aktualisht nuk ka raketa balistike në arsenalin e saj, ndërsa këto armë lëvizin me shpejtësi dukshëm më të madhe se raketat e lundrimit.
Shefi i Marinës Gjermane, Jan Christian Kaack, e cilësoi testimin si një sukses të rëndësishëm, duke thënë se sistemi mund të përdoret me sukses nga anijet gjermane dhe se potenciali i tij i rrezes së veprimit tejkalon kapacitetet që Marina kishte njohur deri tani.
Testi vjen në një periudhë kur Gjermania dhe shtetet e tjera perëndimore po investojnë më shumë në armë me rreze të gjatë veprimi, mes shqetësimeve për kërcënimin që paraqet Rusia.
Sipas Reuters, testimi u zhvillua vetëm disa orë pasi Berlini akuzoi publikisht Moskën për një përpjekje për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle dhe njoftoi masa në përgjigje të incidentit.
Pas testimit, Gjermania pritet të avancojë planet për blerjen e sistemit LORA, i cili do t’i jepte Bundeswehr-it një kapacitet të ri për goditje me rreze të gjatë nga platformat detare. Berlini po punon paralelisht edhe në projekte shumëkombëshe për zhvillimin e armëve me rreze të gjatë, si dhe në modernizimin e raketës së lundrimit Taurus.
