Fëmijët dhe Inteligjenca Artificiale: Shokë të rinj virtualë apo kërcënim i padukshëm?

Një shqetësim i përhapur po përshkon botën e prindërve: marrëdhënia gjithnjë e më intensive e fëmijëve me inteligjencën artificiale.

Nga kureshtja deri tek varësia emocionale, teknologjia që dikur konsiderohej mjet ndihmës, tashmë po merr përmasat e një shoqëruesi të pandashëm në jetën e të miturve.

Miqësia e re artificiale

Prindërit ndihen gjithnjë e më të paqartë për ndikimin që kanë chatbot-et dhe shoqëruesit virtualë të inteligjencës artificiale (AI) në zhvillimin mendor dhe emocional të fëmijëve. Por çfarë janë saktësisht këto mjete dhe si funksionojnë?

Një chatbot me AI është një program që stimulon bisedën njerëzore përmes përpunimit të gjuhës natyrore. Por shoqëruesit virtualë shkojnë edhe më tej: ata janë krijuar për të ndërtuar marrëdhënie të ngjashme me ato njerëzore, si miq, partnerë apo persona të besuar.

“Ndryshe nga mjetet si ChatGPT apo Gemini që shërbejnë për të dhëna dhe informacion, shokët e inteligjencës artificiale janë krijuar posaçërisht për ndërveprim emocional,” shpjegon Natasha Banks, drejtoreshë programi në organizatën “Day of AI Australia”.

Kur teknologjia zë vendin e bisedave reale

Në Australi, shqetësimi është bërë i prekshëm. Pas vendimit të qeverisë për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale në shkolla, vëmendja është zhvendosur tek aplikacionet që stimulojnë marrëdhënie personale me AI.

Sipas një raporti të Komisionerit të Sigurisë Elektronike, të rinjtë kalojnë disa orë në ditë duke biseduar me chatbot-e, ku shpesh trajtojnë tema si seksi apo vetëlëndimi, çështje këto shumë të ndjeshme për t’u diskutuar me një program kompjuterik, njofton tvklan.

Ekspertja, Tama Lever, nga Universiteti Curtin paralajmëron: “Këto mjete nuk janë të mençura. Janë të dizajnuara për t’u dukur si të tillë, duke ndjekur logjikën e të qenit sa më joshës, jo informues”.

Rreziku i padukshëm: kur fëmijët besojnë verbërisht

Në Australi, një studim i fundit zbuloi se 84% e të rinjve të moshës 15-24 vjeç kanë përdorur mjete me AI, ndërsa 35% kanë biseduar drejtpërdrejt me një chatbot. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, shifrat janë shqetësuese: 64% e fëmijëve nga 9 në 17 vjeç përdorin chatbot-e për gjithçka, nga detyrat deri te mbështetja emocionale.

Rachel Huggins nga organizata “Internet Matters” paralajmëron për një realitet të frikshëm: “Fëmijët, veçanërisht ata më të ndjeshëm, mund t’i perceptojnë chatbot-et si njerëz të vërtetë dhe t’u kërkojnë këshilla emocionale pa pasur asnjë filtër.”

Për më tepër, mungesa e masave mbrojtëse në këto platforma, si verifikimi i moshës apo filtrimi i përmbajtjes, i lë fëmijët të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze.

Teknologjia si mik apo manipulues?

Sipas profesor Lever, chatbot-et mund të manipulojnë emocionalisht përdoruesin, sepse janë të dizajnuar për ta mbajtur të lidhur me to.

“Nuk ka garanci që ajo çfarë merr një fëmijë nga një chatbot është e vërtetë apo e përshtatshme”, thotë ai.

Rreziku që të rinjtë të zhvillojnë varësi emocionale është real, ndërsa përmbajtja e papërshtatshme shpesh kalon pa u filtruar.

Roli i prindërve dhe shkollave

Ekspertët theksojnë se në këtë fazë të zhvillimit të teknologjisë, prindërit mbeten gardianët kryesorë. “Fatkeqësisht, përgjegjësia bie mbi prindërit për të monitoruar aktivitetin e fëmijëve, veçanërisht në privatësinë e dhomave të tyre,” deklaron Toby Walsh, shkencëtar në Institutin e Inteligjencës Artificiale të UNSW.

Në të njëjtën kohë, disa shkolla në Australi po ndërmarrin hapa për të edukuar të rinjtë mbi AI. Programi interaktiv “Dita e Inteligjencës Artificiale”, i ndjekur nga mbi 65 mijë nxënës, u mëson nxënësve të klasave 1 deri në 10 se si funksionon teknologjia dhe si mund ta përdorin në mënyrë kritike.

E ardhmja është këtu dhe fëmijët janë pjesë e saj

Pavarësisht shqetësimeve, ekspertët bien dakord për një fakt: nuk mund ta ndalojmë AI-në, por mund të mësojmë të bashkëjetojmë me të në mënyrë të mençur.

“Roli i AI-së në industri dhe profesione të ardhshme është i padiskutueshëm. Është thelbësore t’i përgatisim të rinjtë për këtë botë të re”, thekson Banks.

Edhe UNICEF nënvizon rëndësinë e qasjes së balancuar.

“Kur AI përdoret në mënyrë të sigurt, mund të jetë një mjet transformues, veçanërisht në arsim. Por ka gjithashtu rreziqe serioze” thotë John Livingstone, drejtori i politikave dixhitale të UNICEF-it në Australi.

Inteligjenca Artificiale nuk është më vetëm një temë e filmit fantastiko-shkencor. Ajo është realitet për fëmijët. Zgjedhja nuk është nëse do ta përdorin, por si do ta përdorin. Dhe ky është një diskutim që duhet të përfshijë prindërit, shkollat, politikat publike dhe vetë fëmijët.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here