Përballë tensioneve në rritje me Rusinë, evropianët po marrin masa mbrojtëse.Në disa vende të BE-së, qytetarët po ndërtojnë bunkerë privatë ose po krijojnë hapësira të sigurta në shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për përgatitje emergjente, duke rekomanduar komplete mbijetese për 72 orë.
Në Spanjë, interesimi për mbrojtjen civile është rritur ndjeshëm. Sipas industrisë, ndërtimi i bunkerëve privatë është rritur me 200% që nga pushtimi rus i Ukrainës në 2022.
VIP Bunker, një nga kompanitë kryesore të kësaj fushe, ofron strehimore që mund t’i rezistojnë rrezatimit bërthamor, të pajisura me rezerva uji dhe energjie.Megjithatë, me një çmim mesatar prej 150,000 eurosh, këto strehimore janë të papërballueshme për shumicën.
Për këtë arsye, shumë njerëz po krijojnë hapësira të sigurta në shtëpi dhe po ruajnë ushqime që nuk prishen. Udhëheqësit evropianë kanë theksuar nevojën për përgatitje të shtuar.
“Kërcënimet janë më të mëdha, duhet të mendojmë për sigurinë tonë,” tha Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib.Ndërkohë, trajnerët e mbijetesës po raportojnë një rritje të interesit nga qytetarët e zakonshëm. “Mbijetesa nuk ka të bëjë vetëm me bunkerët – është edhe përgatitja dhe njohuria,” thotë nënkoloneli Manolo Cámara, autor i një manuali për mbijetesë.
Ai thekson rëndësinë e një plani emergjence për familjet dhe njohurive bazë si ndezja e një zjarri apo gjetja e ujit.
Ndërsa disa vende të BE-së po shpërndajnë manuale mbijetese, Rusia ka filluar prodhimin masiv të strehimoreve të lëvizshme bërthamore.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se përgatitja është thelbësore, por paniku nuk është i nevojshëm. “Nuk duhet të çmendemi, por duhet të jemi gati,” përfundon Cámara.