Europa dhe NATO përgatisin përgjigje të ashpër ndaj Rusisë pas sulmit në Lajpcig, SHBA distancohet

Ndërsa Gjermania drejton gishtin nga Rusia për tentativën e një sulmi hibrid me dron në aeroportin e Lajpcigut akuza që Moska i hedh poshtë Bashkimi Evropian dhe NATO po përgatiten për “përgjigjen” e tyre. Se çfarë forme do të marrë ajo pritet të diskutohet në takimin e planifikuar për sot mes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të vendeve të dy blloqeve pritet të përgatisin sanksione të tjera kundër Rusisë në një takim të ardhshëm, koha dhe vendi i të cilit ende nuk janë përcaktuar. Gjermania e ka ngritur tashmë çështjen në nivelin e BE-së, duke kërkuar masa kundër flotës “hije” ruse dhe vendosjen e sanksioneve të reja.

Por sanksionet janë vetëm njëra anë e historisë, pasi tensionet mes Gjermanisë dhe Rusisë po rriten ndjeshëm, ndërsa Shtetet e Bashkuara deri tani kanë zgjedhur të heshtin, teksa Berlini dhe Moska shkëmbejnë akuza të forta.

Gjermania akuzon Rusinë si përgjegjëse për dronin e zbuluar më 4 gusht pranë avionëve ukrainas të transportit. Droni mbante një mekanizëm shpërthyes, i cili nuk shpërtheu pasi ishte bllokuar. Autoritetet gjermane dyshojnë gjithashtu se një dron i dytë është përplasur me një avion transporti mallrash që ndodhej në një distancë të shkurtër.

“Do të marrin përgjigjen e tyre”

Ministri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, duke paraqitur elementet që, sipas Berlinit, dëshmojnë përgjegjësinë e Rusisë për sulmin hibrid në Lajpcig konfigurimin e dronit, pjesët e përdorura, eksplozivin dhe modelin e operacioneve ruse në Evropë deklaroi se shërbimet gjermane të sigurisë po regjistrojnë një “nivel të lartë kërcënimi” nga operacionet hibride në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.

Sipas ministrit gjerman, incidenti në Lajpcig “nuk është i izoluar, por pjesë e një plani më të gjerë veprimesh hibride”. Ai paralajmëroi gjithashtu se Gjermania pritet të vazhdojë të jetë objektiv i sulmeve hibride ruse.

“Le të jemi të qartë: Nuk jemi në luftë, por jemi çdo ditë objektiv i luftës hibride”, theksoi Dobrindt.

Dhe nga fjalët, Berlini kaloi te veprimet. Si përgjigje ndaj zhvillimeve, Gjermania njoftoi se më 18 shtator do të mbyllë “Shtëpinë e Rusisë” në Berlin dhe Konsullatën ruse në Bon, një vendim që është mirëpritur nga institucionet evropiane, partnerët e Berlinit dhe NATO.

“Pra, do të marrin përgjigjen e duhur”, paralajmëroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

“Me një pretekst krejtësisht të pabazë dhe të sajuar, Berlini i ka çuar edhe një herë drejt përshkallëzimit marrëdhëniet dypalëshe. Si zakonisht, nuk janë paraqitur prova bindëse apo serioze. Ato thjesht nuk ekzistojnë dhe nuk mund të ekzistojnë”, deklaroi ajo.

Për “përgjigje” flet Zakharova, por të njëjtën gjuhë paralajmëruese ka përdorur edhe presidentja e Komisionit Evropian.

Ursula von der Leyen, duke përshëndetur masat e Berlinit, theksoi se “sulmet hibride nuk do të mbeten pa një përgjigje të qartë”. Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili deklaroi se “këto sulme hibride po shtohen në Evropë. Ato nuk mund të mbeten pa përgjigje”.

Macron duket se ndan të njëjtin qëndrim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili deklaroi se “përpjekjet e Rusisë për të na frikësuar, për të minuar unitetin tonë dhe vendosmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën, janë të kota dhe do të dështojnë”.

Edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, shprehu solidaritet me Berlinin.

“Greqia shpreh solidaritetin e saj të plotë me Gjermaninë pas sulmit hibrid të Rusisë në Lajpcig. Përpjekjet për të frikësuar demokracitë tona nuk do të kenë sukses. Ne mbetemi të palëkundur dhe do të ruajmë një forcë të besueshme parandaluese për mbrojtjen e qytetarëve tanë dhe sigurisë sonë”, deklaroi Mitsotakis.

NATO-BE dhe… SHBA në plan të dytë?

Britania, Italia, Suedia, Finlanda, Irlanda dhe Ukraina janë gjithashtu në krah të Gjermanisë në këtë përshkallëzim të marrëdhënieve me Rusinë.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, konfirmoi se pritet një takim i ministrave të Jashtëm për këtë çështje, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes NATO-s dhe BE-së. Burime nga NATO kanë bërë të ditur se takimi i ministrave do të përqendrohet kryesisht në thellimin e bashkëpunimit mes dy palëve kundër kërcënimeve hibride.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se Rusia po shton “incidentet” e këtij lloji me synimin “për të na frikësuar dhe për të na dekurajuar nga mbështetja ndaj Ukrainës”.

Ndërsa ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për më shumë sulme hibride nga Rusia. Sipas tij, incidenti në Lajpcig, gjetja e mekanizmave shpërthyes në impiante të furnizimit me energji elektrike në Gjermani, si dhe denoncimet e Rumanisë dhe Estonisë për sulme hibride ruse, janë vetëm fillimi.

“Rusia po teston se ku janë kufijtë tanë. Duhet të jemi të qartë”, tha ai.

Megjithatë, pikëpyetja e madhe mbetet qëndrimi i Uashingtonit.

Pavarësisht se liderët evropianë dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s po shprehin solidaritet me Gjermaninë dhe po kërkojnë një qëndrim dhe përgjigje të përbashkët ndaj Moskës, Shtetet e Bashkuara deri tani kanë heshtur.

Pyetja kryesore është nëse SHBA-ja do të zgjedhë ta mbështesë publikisht Gjermaninë apo do të përpiqet të ulë tensionet me Rusinë, duke lënë aleatët evropianë me ndjesinë se janë braktisur.

Një përgjigje mund të vijë që sot. Pas takimit mes von der Leyen dhe Rutte, si dhe takimeve dhe vendimeve të ministrave të vendeve të përfshira, presidenti amerikan Donald Trump, ose një tjetër zyrtar i lartë amerikan, pritet të thirret për të komentuar zhvillimet.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME