Përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, vizitoi sot komandantin e përgjithshëm të KFOR-it, gjeneral major Enrico Barduani.
Pjesëmarrës në takimin që u zhvillua në shtabin e KFOR-it “Camp Film City” në Prishtinë ishin edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, si dhe shefi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Në një njoftim zyrtar, KFOR-i bën me dije se takimi u përqendrua në zhvillimet më të fundit mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Gjenerali Barduani nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me institucionet evropiane në Kosovë dhe midis partnerëve ndërkombëtarë të angazhuar në stabilitetin rajonal.
Vizita dëshmon angazhimin e përbashkët të NATO-s dhe BE-së për paqe të qëndrueshme, dialog rajonal dhe një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë” deklaron KFOR-i.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.