Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë raportohen raste të ndryshme, ku përfshihen burra e gra, prindërit e fëmijët. Kështu ndodhi së fundmi në një familje në Lipjan.
Sinjali mëson se mbrëmë në fshatin Kraishte të Lipjanit, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe prindërit e tij.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është A. D., rreth 27-vjeçare, e cila ka raportuar në polici se është goditur nga bashkëshorti i saj K.D., rreth 32-vjeçar, vjehrri I.D., rreth 63-vjeçar dhe vjehrra S.D., rreth 60-vjeçare. Ajo posedon raport mjekësor për lëndimet e marra.
Në rast është përfshirë Njësia për Dhunë në Familje dhe Qendra për Punë Sociale. Me urdhër të prokurores kujdestare, viktima është dërguar në strehimore së bashku me dy fëmijët e saj, të moshave 6 dhe 3 vjeçare.
Të dyshuarit janë lëshuar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po hetohet.