Një ngjarje e rëndë është shënuar për familjen Elshani nga fshati Nagac i Rahovecit, pasi familjari i tyre u nda sot nga jeta si pasojë e djegieve të shkaktuara nga zjarri i cili mbrëmë kaploi shtëpinë e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se viktima e këtij incidenti është 89-vjeçari, Feim Elshani.
I njëjti mbrëmë u dërgua në Qendrën Klinike Universitare, atje dhe ku sot ndërroi jetë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion, teksa kanë nisur edhe hetimet.
Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili përshkoi kontributin e tashmë të ndjerit në njërën nga çështjet thelbësore të shtetit të Kosovës.
“Baca Feim ishte ndër ata njerëz që nuk ankoheshin dhe nuk mallkonin për gjendjen e tyre sa herë që hasin në vështirësi e rreziqe. U bë pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës, kur Millosheviqit i doli përballë në gjyqin kundër tij në Hagë dhe veç të tjerave, ia tregoi krimet e turpshme të armatës së tij që dogji e shkrumboi tri gra të vjetra e të sëmura, e atij iu kujtuan copat e predhave serbe që kishte gjetur e depozituar si prova krimi Feimi për Gjykatën e Hagës”, thuhet ndër tjera në postimin e tij.
Postimi i plotë:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e njeriut të mirë e të respektuar Feim Elshani nga fshati Nagac, i cili vite më parë dëshmoi për krimet serbe para Milosheviqit në Hagë.
Baca Feim do të mbahet gjatë në mend për kontributin e dhënë në rrugën e lirisë, për vuajtjet e mëdha dhe pengesat e shumta që kaloi si dhe për vullnetin dhe energjinë e duhur që ai e dëshmoi deri më sot.
Baca Feim ishte ndër ata njerëz që nuk ankoheshin dhe nuk mallkonin për gjendjen e tyre sa herë që hasin në vështirësi e rreziqe. U bë pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës, kur Millosheviqit i doli përballë në gjyqin kundër tij në Hagë dhe veç të tjerave, ia tregoi krimet e turpshme të armatës së tij që dogji e shkrumboi tri gra të vjetra e të sëmura, e atij iu kujtuan copat e predhave serbe që kishte gjetur e depozituar si prova krimi Feimi për Gjykatën e Hagës.
U kujtoftë e u nderoftë ndër mote jeta dhe vepra e tij atdhetare!
I paharruar qoftë kujtimi për Feim Elshanin!