Konfliktet mes vëllezërve në familjet kosovare, shpeshherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një familje në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka sulmuar me thikë vëllain e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 21-vjeçari është dërguar atje për tretman mjekësor, si pasojë e lëndimeve që dyshohet se i kishte marrë nga një mjet i mprehtë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e viktimës.
Sipas 21-vjeçarit, gjatë kohës që ka qenë në gjumë, i dyshuari ka hyrë në dhomën e tij me një thikë në dorë. Kjo ka bërë që viktima të reagojë dhe gjatë tentativës për t’ia larguar thikën nga dora të dyshuarit, ka pësuar lëndime trupore. Bazuar në dëshminë e tij, e gjithë kjo ka ndodhur pasi 19-vjeçari ia ka kërkuar atij disa para në vlerë prej pesë euro.
Thika që dyshohet se u përdor në rast është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.