Pa paraqitur prova, autoritetet e akuzuan gjithashtu universitetin për bashkëpunim me Partinë Komuniste Kineze.
Administrata e presidentit Donald Trump i ka hequr Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, në kuadër të një përshkallëzimi të konfliktit me këtë institucion të njohur të Ivy League, duke deklaruar se mijëra studentë aktualë duhet të transferohen në institucione të tjera ose të largohen nga vendi.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare e bëri publik vendimin të enjten, duke akuzuar Harvardin se ka krijuar një ambient të pasigurt në kampus, përmes lejimit të, siç u quajtën, “agjitatorëve anti-amerikanë dhe pro-terroristë” që kanë sulmuar studentët hebrenj.
Pa paraqitur prova, autoritetet e akuzuan gjithashtu universitetin për bashkëpunim me Partinë Komuniste Kineze.
“Kjo do të thotë se Harvardi nuk mund të regjistrojë më studentë të huaj, dhe studentët ekzistues ndërkombëtarë duhet ose të transferohen në universitete të tjera, ose të humbasin statusin e tyre ligjor”, thuhet në deklaratën zyrtare të agjencisë.
Harvardi regjistron rreth 6,800 studentë ndërkombëtarë në kampusin e tij në Cambridge, Massachusetts, të cilët përbëjnë më shumë se një të katërtën e numrit të përgjithshëm të studentëve. Shumica e tyre janë studentë të nivelit të avancuar dhe vijnë nga më shumë se 100 shtete të ndryshme.
“Kjo administratë po e mban Harvardin përgjegjës për nxitjen e dhunës, antisemitizmit dhe bashkëpunimin me Partinë Komuniste Kineze brenda kampusit të tij. Është një privilegj, jo një e drejtë, që universitetet të regjistrojnë studentë të huaj dhe të përfitojnë nga pagesat e tyre më të larta të shkollimit për të ndihmuar në plotësimin e fondeve të tyre multimiliardë dollarëshe. Harvardi kishte shumë mundësi për të bërë gjënë e duhur. Ai refuzoi. Le të shërbejë kjo si një paralajmërim për të gjitha universitetet dhe institucionet akademike në të gjithë vendin”, deklaroi guvernatorja Kristi Noem.
Universiteti i Harvardit ka thënë se masa e Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të revokuar të drejtën e tij për të regjistruar studentë ndërkombëtarë është një veprim hakmarrës i paligjshëm që kërcënon me dëme serioze për universitetin.
“Veprimi i qeverisë është i paligjshëm. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur aftësinë e saj për të pritur studentë dhe studiues ndërkombëtarë nga më shumë se 140 vende dhe për të pasuruar universitetin. Ky veprim hakmarrës kërcënon me dëme serioze komunitetin e Harvardit dhe vendin tonë, dhe minon misionin akademik dhe kërkimor të Harvardit”, tha në një deklaratë, universiteti.
Ky veprim vjen pasi Harvard refuzoi të jepte informacionin që sekretarja e sigurisë kombëtare Kristi Noem kishte kërkuar më parë në lidhje me disa mbajtës të vizave studentore të huaja që ndjekin studimet në këtë universitet.
Ky veprim shënon një përshkallëzim të ndjeshëm të fushatës së administratës Trump kundër universitetit elitar të Ivy League, i cili është shfaqur si një nga objektivat më të spikatur institucional të Trump.