“Marrëdhëniet tona me RS-në po përjetojnë një rritje të madhe sot”. Kështu ka thënë Sergej Lavrov, ministër i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, duke folur përmes videolidhjes me rastin e hapjes zyrtare të Ambasadës të Federatës Ruse në Banja Lukë.
Derisa të gjithë po distancohen nga Rusia dhe po vendosin sanksione ndaj saj, presidenti serb i RS-së sjell më afër Ballkanit zyrtarët e Vladimir Putinit.
Ai sot ka lejuar hapjen e ambasadës ruse në Banja Llukë. Madje Dodik vet ishte pjesëmarrës në këtë event.
Lavrov në pamundësi për të marrë pjese në këtë ngjarje, pati një lidhje direkte nga Rusia. Ai falënderoi Dodikun në realizimin e projektit.
“Më vjen mirë që ju mirëpres në ceremoninë e hapjes së Ambasadës së Federatës Ruse në Banja Luka. Së pari, dëshiroj të përgëzoj kolegët dhe miqtë tanë në RS për këtë ngjarje të mrekullueshme. Ne kemi punuar për këtë qëllim për disa vite. Është bërë një punë e madhe, rezultatet e së cilës janë të dukshme sot. Momenti është vërtet historik. Nuk është një ngjarje e përditshme që në botë hapet një seli e re diplomatike e Federatës Ruse. Jemi shumë të lumtur që kjo po ndodh në RS mike. Zgjerimi i trupit diplomatik në Banja Luka dëshmon për rëndësinë dhe autoritetin në rritje të RS-së si pjesëmarrëse në proceset ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit” – theksoi Lavrov.
Lavrov falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në realizimin e këtij projekti.
“Para së gjithash, falënderoj udhëheqjen e RS dhe personalisht Presidentin Milorad Dodik, i cili qysh në fillim i kushtoi vëmendje të madhe të gjitha çështjeve për këtë iniciativë dhe ofroi ndihmë të gjithanshme për zgjidhjen më të shpejtë të saj. Ne i jemi sinqerisht mirënjohës peshkopit Jefrem të Banja Lukës që ka një ndërtesë kaq të mrekullueshme për të strehuar misionin diplomatik rus. Jemi të bindur se atmosfera e veçantë historike dhe shpirtërore që mbretëron atje do t’i frymëzojë kolegët tanë që të zgjidhin në mënyrë krijuese detyrat me të cilat përballen”.
Lavrov theksoi se ka më shumë detyra, andaj i renditi:
“Subjekte të mëdha biznesi ruse operojnë në RS. U krijuan lidhje të rëndësishme në fushën e shkencës, kulturës, arsimit dhe sportit. Vëmendje prioritare do t’i kushtojmë ndërtimit të tempullit ruso-serb si qendër shpirtërore dhe kulturore në Banja Luka. Ne besojmë se ky projekt është komponenti më i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve vëllazërore që lidhin popujt tanë. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë kontakte midis universiteteve në Rusi dhe RS. Mirëpresim fillimin e punës së Qendrës për arsim të hapur në gjuhën ruse dhe mësimin e gjuhës ruse në Universitetin e Sarajevës Lindore, si dhe funksionimin e degës së saj në Universitetin e Banja Lukës” – tha Lavrov.
Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse u ndal edhe në rritjen e traditës antifashiste, si në Rusi ashtu edhe në RS.
“Me ngrohtësi në zemrat tona, ne shohim se sa të forta dhe të sinqerta janë traditat e antifashizmit në popullin serb. RS është vërtet një kështjellë e së vërtetës historike dhe e luftës kundër shtrembërimit të historisë. Aksionet masive vjetore të Regjimentit të Pavdekshëm janë një konfirmim i qartë i kësaj. Bërat e të parëve tanë nuk duhet të harrohen. Së bashku do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën, lirinë dhe drejtësinë” – tha Lavrov.