Zgjedhjet e fundit në Kosovë të mbajtura të dielën e 9 shkurtit, kanë “lëkundur” zhvillimet politike në vend dhe përqindjen e besimit që dikur këto subjekte kishin nga qytetarët.
Nga këto zgjedhje ku besohej se do të ndryshohej shumëçka, në fakt pati ulje të përqindjeve tek disa parti, ngritje tek dikush tjetër e rezultate që nuk i prisnin ndoshta as vetë partitë.
Lëvizja Vetëvendosje deri më tani arriti të ketë 40.86 për qind të votave, shumë më pak nga 51% sa pati më 2021.
PDK u rrit nga viti në vit e tani mblodhi 22.04% pa llogaritur këto votat e diasporës dhe ato me kusht.
AAK-Nisma edhe në këto zgjedhje përqindjen e kanë thuajse të njëjtë rreth 8 % të votave.
Por çudia e rezultatit në këto zgjedhje padyshim se është Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja që sipas liderit të kësaj partie e kandidatëve që kishte do t’i fitonte bindshëm këto zgjedhje, në fakt nuk mblodhi as 18%. 17.62% është tani për tani përqindja e LDK-së, përkthyer në vota 146 mijë e 815 vota.
Por padyshim se çudia më e madhe edhe për vetë LDK-në është se si nuk arriti të fitojë përqindjen më të madhe as në zonat ku njiheshin si bastione të kësaj partie si: Gjilan, Pejë, Istog, Prishtinë e Podujevë.
Në qytetin e Pejës, LDK-ja renditet parti e dytë me 27.59% apo 12 mijë e 15 vota.
E në lidhje me humbjen e LDK-së edhe në Pejë, lajmi.net ka kontaktuar kryetarin e Pejës nga kjo parti Gazmend Muhaxheri.
Muhaxheri duke folur për rezultat e këtyre zgjedhjeve është shprehur se “Lidhja Demokratike e Kosovës ka një rritje të jashtëzakonshme të votave në këto zgjedhje”.
Pavarësisht ngritjes që thotë se pati LDK-ja, Muhaxheri nuk e ka mohuar faktin se kjo parti ka një rënie të ulët në përqindje.
“Po hala nuk është kry numërimi i të gjitha votave është pak përfundi pritshmërive që i kemi pas po është një rritje e jashtëzakonshme e votës prej zgjedhjeve të kalume”, ka thënë Muhaxheri.
Anipse nga Komisioni Qendror Zgjedhor është bërë e ditur se në Pejë Lëvizja Vetëvendosje ka më tepër vota, Muhaxheri thotë se LDK-ja mori votat maksimale atje, që sipas tij nuk mungojnë asnjëherë për LDK-në.
“Jo në Pejë i ka marrë votat e saj maksimale që i merr çdo herë”, thotë ai.
Tutje ai shprehet se për shkak të reformave të kryera në këtë parti në këto zgjedhje pati ngritje rreth 80 për qind të votave, derisa thotë se janë në pritje të votave përfundimtare.
“LDK i ka kry reformat edhe falë asaj që i ka kry reformat ka arrit me i kthy diku gati 80 për qind të votave tash e shohim kur të dalin votat përfundimtare”, thekson Muhaxheri.
Ndryshe Muhaxheri ka thurur lavde për të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku i cili tha se Abdixhiku ka fituar edhe në zgjedhjet lokale po ashtu qendrore.
I pari i komunës së Pejës thotë se falë Abdixhikut në nivel lokal LDK, tashmë qeverisë në tetë komuna.
“Lumiri i ka fitu dy parë zgjedhjet zgjedhjet lokale i ka fitu në nivel vendi dhe i ka 8 komuna që i qeverisë LDK-ja edhe në këto zgjedhje e ka rritjen mat madhe të votës”, ka thënë Muhaxheri.
Pas zgjedhjeve të mbajtura të dielën, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i uroi të gjitha partitë politike për rezultatet e arritura, teksa tha se LDK-ja ka një rritje të theksuar, por nuk është e kënaqshme për ta.
Më tej, Abdixhiku bëri të ditur se nuk do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së, pasi tha se beson që rritja e kësaj partie nga 110 mijë vota, në aq sa pretendojnë, 190 mijë, është sukses shumë i mirë.
“Nuk do të jap dorëheqje. Besoj që rritja e LDK-së nga 110 mijë vota në aq sa pretendojmë të kemi, 190 mijë vota, është sukses i mirë por jam shumë i lodhur sot për të bërë ndonjë deklaratë tjetër afatgjate për fatin tim politik, e që është brenga ime e fundit sonte. Mburremi për fushatën, për programin politik, listën prej 110 anëtarëve, e marr përgjegjësinë e plotë, unë Lumir Abdixhiku, në tërësi për këtë rezultat”, tha ai.
Pavarësisht se sot është dita e tretë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë, nga Komisioni Qendror Zgjedhor ende s’ka përfunduar numërimi 100% i votave.
Nga KQZ del se janë numëruar 99.57% e tyre. Dje ka filluar numërimi i votave për kandidatët për deputet derisa mbetet të shihet se kur do të nis numërimi për votat me kusht dhe ato nga diaspora që pritet edhe të bëjnë një lloj diferencimi të përqindjes.
Nga të dhënat e deritanishëm i bie se Vetëvendosje ka 45 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 25, LDK-ja 20, AAK-Nisma 9 dhe komunitete 20.
Nuk dihet nëse partia e parë Lëvizja Vetëvendosej do të mund të sigurojë formimin e qeverisë, apo në Kosovë do të ketë një koalicion të ri.
Nëse jo, atëherë qytetarët e vendit do të përballen me ngërçe të mëdha politike e të cilat më vonë mund të rezultojnë edhe me një palë zgjedhje të reja.