Sociologu Jeton Brajshori, në emisionin COMPASS në ATV, tha se prindërit duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet me paramendim që kryejnë fëmijët e tyre të mitur.
Ai zbuloi se së bashku me kolegët e tij po draftojnë një projekt-propozim për ndëshkimin e prindërve në raste të tilla.
“Urgjente është që të punohet së pari më prindërit e fëmijëve. Unë me disa kolegë të mi, me qenë se nuk kemi të drejtë të bëjmë ligje, por jemi duke e draftuar një projekt propozim që të dënohen edhe prindërit kur fëmijët në moshë minore kryejnë krime”, tha Brajshori.
Ai tha se prindërit nuk mund të shmangin përgjegjësinë duke pretenduar se nuk kanë ndikim mbi sjelljen e fëmijëve.
“Është fjala pra për krimet të cilat janë me paramendim dhe jo ato me afekt, për arsye se shumica e prindërve po e hjekin përgjegjësin nga supet e tyre duke thënë se fëmija më ka dalë dorësh dhe as unë nuk po kam çka me i ba fëmijës tim. Kjo është papërgjegjësi totale dhe në këtë mënyrë duhet edhe ata prindër të mbajnë përgjegjësi për krimet me paramendim që i bëjnë fëmijët e tyre”, u shpreh Brajshori.
Deklaratën e plotë të Jeton Brajshorit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë: