Zëvendëskryeministri i Kosovës, besnik Bislimi ka thënë se nuk i kushtojnë rëndësi propagandës së ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, derisa po fliste për rastin e Faton Hajrizit.
Ai ka thënë se Serbia po tenton të ndërtojë një narrativë se “Kosova nuk është më mirë se ta” dhe se e gjitha storja është ndërtuar mbi pasaportën e gjetur.
Bislimi në “KTV” ka thënë se për Kosovën, Faton Hajrizi është kriminel dhe person i dënuar për vepër penale.
“Pjesa tjetër, përtej pasaportës, është produkt i makinerisë propaganduese të Beogradit, në krye me Ivica Daçiq. Për Kosovën, personi që ka ikur është kriminel, person i dënuar për vepra penale, vendin e ka prapa grilave, në narrativën kosovare e ka vendin në burg. Por ajo që nuk po diskutohet është fakti që ky person ka ikë nga burgu, dhe ka trajtuar opsionet për ikjen në një vend të sigurtë, dhe ai ka thënë që jam në një vend të sigurtë, ai ka pasë opsione drejt Shqipërisë, me Shqipërinë kemi kalimin e integruar të kufirit, ku kalimi bëhet i lehtë dhe nuk kemi asnjë bazë ushtarake…” – tha ai.
Pyetur se a janë institucionet e Kosovës përgjegjëse për këtë, Bislimi u përgjigj si vijon:
“Po çka nënkupton përgjegjëse, përgjegjëse e bën dikush që ka ndihmu në ikje. Po tash ikje ka pasur edhe në burgun më të ruajtur në botë, është e palogjikshme të thuhet janë institucionet përgjegjëse. Nuk e di unë, duhet me bë analizën, s’e bëj unë analizën…”.