Rreth 200 kilometra rrugë në Shqipëri do të monitorohen nga sistemet e reja inteligjente. Policia e Shtetit ka nisur përgatitjen e efektivëve që do të punojnë në Qendrën e Monitorimit të Trafikut, ndërsa për këtë funksion të ri parashikohet edhe një rritje e pagave, të cilat mund të arrijnë deri në 1800 euro.
Nga 1 janari, kontrolli i qarkullimit rrugor në Shqipëri pritet të hyjë në një fazë të re. Radarët inteligjentë dhe pajisjet e avancuara të mbikëqyrjes do të aktivizohen në akset kryesore të vendit, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e shkeljeve nga drejtuesit e automjeteve.
Pas instalimit të pajisjeve në disa prej rrugëve me fluksin më të lartë të qarkullimit, tashmë po punohet për përgatitjen e strukturave që do të mundësojnë funksionimin e sistemit. Burime bëjnë me dije se kanë nisur trajnimet për një grup punonjësish të Policisë së Shtetit, të cilët do të monitorojnë dhe analizojnë informacionin e përftuar nga radarët përmes Qendrës së Monitorimit të Trafikut.
Efektivët do të angazhohen në një model të ri pune, ku shkeljet rrugore do të evidentohen përmes teknologjisë, pa qenë e nevojshme që çdo kontroll të kryhet nga patrullat në terren. Nga ambientet e qendrës operative, ata do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale lëvizjen e automjeteve dhe të identifikojnë shkeljet e regjistruara nga sistemet inteligjente.
Përveç ndryshimit të mënyrës së kontrollit, projekti shoqërohet edhe me një rishikim të trajtimit financiar të efektivëve që do të punojnë në këtë strukturë. Sipas informacioneve të siguruara, pagat për punonjësit e angazhuar në këtë detyrë të re pritet të rishikohen, duke arritur deri n
Si do të funksionojnë radarët inteligjentë?
Sistemi i ri do të mbështetet në teknologji të avancuara të mbikëqyrjes tokësore, detare dhe ajrore, të cilat do të kombinohen me pajisje monitorimi të instaluara në mënyrë të përhershme ose të lëvizshme.
Radarët do të regjistrojnë dhe përcjellin të dhëna të detajuara për objektivat e identifikuara, përfshirë pozicionin, drejtimin e lëvizjes, shpejtësinë, kohën dhe përmasat e tyre.
Në të njëjtën kohë, kamerat do të regjistrojnë, përmes fotografive dhe videove, lëvizjen e automjeteve, duke krijuar një arkiv të dhënash që do të shërbejë për evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit.
