Bashkimi Evropian ka deklaruar se ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Në deklaratën me shkrim të lëshuar lidhur me ndryshimet e këtij ligji, Bashkimi Evropian i bën thirrje Kosovës që t’i përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Sipas BE-së, mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve duhet të garantohen.
Reagimi i sotëm me shkrim vjen një ditë pasi BE-ja shprehu shqetësim të thellë për votimin në Kuvend.Zëdhënësi i Bashkimit Evropian shpjegoi gjithashtu pse nuk reagoi as kur u paralajmërua se ligji mund të ndryshohej, as pas leximit të parë.
“Ju e dini se ne, si çështje parimi, gjë që mendoj se është shumë logjike, komentojmë vetëm vendimet përfundimtare dhe ligjet që miratohen përfundimisht, jo projektet apo tekstet që janë të njohura ose që janë në leximin e parë apo të dytë.
Prandaj, sigurisht, ne reaguam pasi pati një vendim përfundimtar nga Kosova”, tha Christian Wigand, zëdhënës i BE-së.BE-ja përsërit se ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor dhe insiston se mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, theksojnë nga Brukseli./RTK
