Mediat në Serbi dje raportuan se atje është arrestuar Lulzim Halili për të cilin thanë se është ish -pjesëtar i UÇK’së. Lajmi u dha në media që plasojnë verbërisht lajme të sponsoruara nga regjimi i Vuçiq. OVL e UÇK’së tha se në listën zyrtare të tyre nuk ka një veteran me emër të tillë.
Gazeta Express
Gazeta beogradase “Blic” dje duke iu referuar mediumit pro Vuçiq “Novosti” raportoi se autoritetet serbe kanë arrestuar Lulzim Halilin, për të cilin thanë se ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është arrestuar nën pretendimet se ka kryer “krime kundër njerëzimit”. Atje u publikuan pamje të “arrestimit”
Mirëpo sot, “Danas” një mediaum kritikes ndaj pushtetit atje, shkruan se institucionet që dyshohet që e kanë arrestuar, e ku e përfshirë është edhe BIA, ende s’kanë bërë ndonjë deklaratë publike për arrestimin.
Pretendimet e Serbisë po i vë në dyshim edhe OVL e UÇK’së që thanë se Halili nuk figuron në asnjë nga listat zyrtare të veteranëve, dhe nuk njihet nga asnjë ish-ushtar në zonën ku pretendohet se ka vepruar gjatë luftës.
“Nuk figuron në asnjë nga listat, por as nuk njihet nga asnjë ish-ushtar në zonën ku pretendohet se ka qenë në luftë”, ka thënë nënkryetar Gazmend Syla.
Arrestimi i Halilit hakmarrje e Serbisë për paraburgosjen e Popoviq?
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, reagoi ashpër pasi Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi 30 ditë paraburgim për Igor Popovic, ndihmës të drejtorit të të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”.
Vuçiq ka thënë se do të reagojnë ashpër, sepse siç propagandon ai një ditë “ky terror duhet të ndalet”.
“Do të reagojmë në një mënyrë shumë të ashpër, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment”, ka thënë ai në Tv Pink.
Ai ka thënë se i ka njoftuar ndërkombëtarët për këtë që ka ndodhur.
“Arrestimi i fundit i Igor Popović tregon se Kurti e ka humbur plotësisht mendjen dhe se dëshiron të provokojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq.
Kurti thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i shmangin udhëtimet nëpër Serbi
Të hënën në një konferencë për media, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, u kërkoi qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe të qytetarëve tanë”, tha ai.
Kurti i quajti “kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme” deklaratat e presidentit serb, Aleksnadar Vuçiq i cili dje tha se do të përgjigjen “ashpër” pas ndalimit dhe paraburgosjes së ndihmësit të drejtorit të të ashtuquajturëz syzë për Kosovën në qeverinë serbe, Igor Popoviq.