U raportua sot se Enver Sekiraqa është arratisur.
Lajmin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, duke thënë se i njëjti është kërkuar nga organet e sigurisë dhe nuk ka qenë në shtëpi.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, kanë thënë nga policia për IndeksOnline.
Lidhur me rastin është deklaruar avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi.
Kelmendi deklaroi për Indeksonline se klienti i saj mund të mos ketë qenë në shtëpi në momentin kur është kërkuar, por që nuk bëhet fjalë për arratisje.
“Unë si mbrojtëse e të akuzuarit Enver Sekiraqa, i cili deri dje me datën 17.05. 2024, ka qenë i lirë pas shpalljes së aktgjykimit, kam pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit duke u aprovuar ankesa e Prokurorit Special. Nga portalet kam kuptuar se i akuzuari nuk ka qëlluar në shtëpi me rastin e kërkimit sot nga ana e policisë.
Unë personalisht nuk mund ta quaj dhe konsideroj arratisje për faktin se i njëjti ka qenë në liri dhe ai nuk ka qenë i obliguar ta pres në shtëpi një vendim të Apelit në cilindo variant. Tani, fakti që policia sot nuk e kanë gjetur në shtëpi, kjo nuk është kontestuese, por, a është arratisur apo për momentin nuk ka qenë në shtëpi dhe ka mundësi të kthehet apo paraqitet, unë ketë nuk e di meqë nuk kam informacion, meqë është fjala për 24 orët e para pas vendimit të Gjykatës se Apelit. Kjo mbetet të shihet tutje” deklaroi Kelmendi për Indeksonline./Indeksonline/