Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie ndaj Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë.
Ai është dënuar me 6 muaj burgim, i cili është zëvendësuar me gjobë prej 3 mijë eurosh, ndërsa ndaj tij është shqiptuar edhe masa plotësuese e dëbimit nga territori i Kosovës për një periudhë prej dy vitesh.
Seanca dëgjimore u mbajt të enjten në Departamentin Special, ku Popoviq u paraqit i prangosur para gjyqtarit Kujtim Krasniqi dhe prokurores speciale Fikrije Zejnullahu. Marrëveshja u konsiderua në përputhje me dispozitat ligjore, me arsyetimin se i akuzuari është konsultuar me mbrojtjen dhe ka pranuar fajësinë në mënyrë vullnetare. Edhe avokati i tij, Millosh Deleviq, deklaroi se marrëveshja përmbush kushtet ligjore.
Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut. Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 5 gusht për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes ndëretnike, në lidhje me një fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 18 korrik në Rahovec, rreth orës 12:00, ai kishte përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndëretnik me dashje dhe qëllim. Shpallja e aktgjykimit ndaj tij është caktuar për orën 14:00.