Ankohen ushtarët ukrainas: Tanku 10-milionësh i ShBA-së s’ka antiplumb boll

Ekuipazhet ukrainase që po punojnë me tanke “Abrams” të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara i kanë treguar televizionit CNN një varg të metash të cilat ata pretendojnë se i kanë këto mjete të rënda, duke e vënë në dyshim dobinë e tyre në vijën e frontit.

Dhurimi i këtyre tankeve ishte njoftuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, si dëshmi e “zotimit të qëndrueshëm dhe të palëkundur [të ShBA-së] ndaj Ukrainës”, raporton televizioni amerikan, përcjell Gazeta Nacionale.

Gazetarët e televizionit CNN ishin reporterët e parë që kishin parë tanke të tipit “M1 Abrams” në Ukrainë, në një vend në lindje të këtij shteti, ku dukeshin rreth gjashtë automjete, të fshehura nën gjethet e drurëve.

Ekuipazhet e trajnuara në Gjermani thanë se këto tanke – që kushtojnë nga 10 milionë dollarë një dhe shërbejnë si lloj kryesor i tankut të betejës për ushtrinë amerikane që ishte përdorur kundër forcave të Saddam Hussein-it në Irak – kanë mungesë të antiplumbit që do t’i ndalte armët modern.

“Antiplumbi i saj nuk është i mjaftueshëm për këtë moment” – tha një anëtar ekuipazhi me nofkën “Xhokeri. “Nuk e mbron ekuipazhin. Me të vërtetë, sot kjo është lufta e dronëve. Pra tani, kur tanket lëvizin, ata [rusët] gjithmonë mundohen t’i godasin ato” – shtoi ushtari ukrainas.

Kolegu i tij, “Dnipro”, shtoi se tanket amerikane janë “caku numër një”. “Pa mbrojtje, ekuipazhi nuk mbijeton në fushën e betejës” – tha ai.

Ekuipazhi ia tregoi televizionit përpjekjet për t’i vendosur antiplumb aktiv një tanku të dëmtuar. Ata përdorën pllaka të mjeteve shpërthyese plastike që, kur goditen nga një predhë, aktivizohen dhe ofrojnë një kundër-shpërthim mbrojtës.

Të gjitha 31 tanket “Abrams” të dërguara në Ukrainë janë në përdorim afër vijës së frontit në lindje, sipas zyrtarëve në Brigadën e 47-të të Mekanizuar, të cilët i kanë pranuar ato. Kërkesa ukrainase për tanket komplekse e të rënda kishte nxitur debat të konsiderueshëm në fillim të vitit 2023, pasi këto automjete kanë zinxhir të ndërlikuar furnizimi. Disa prej tyre madje funksionojnë me karburant aeroplanësh.

Disa zyrtarë të Pentagonit thanë muajin e kaluar se tanket “Abrams” ishin tërhequr nga vija e frontit për shkak të rrezikut nga sulmet ruse me dronë, edhe pse Brigada e 47-të e Motorizuar e Ukrainës tha se disa prej tankeve ishin ende në veprim pavarësisht nga mangësitë e shfaqura.

Një pjesë e madhe e vijës së frontit në Ukrainë tani mbizotërohet nga përdorimi i dronëve sulmues vetëshkatërrues, pajisje të vogla e të sakta që mund ta rrezikojnë këmbësorinë dhe madje t’u shkaktojnë dëme të konsiderueshme tankeve.

Ky ekuipazh ukrainas i ka mësuar kufizimet e tankut “Abrams” në mënyrën e zorshme, gjatë betejave përreth qytezës Avdivka, të cilën Rusia e mori nën kontroll në shkurt. Një vozitës i tankut e humbi këmbën, kur predha e tejkaloi antiplumbin e tankut dhe depërtoi brenda saj. /Nacionale

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights