Aktakuza – vende të BE-së e SHBA-ja i siguruan Kosovës “dëshmi thelbësore” rreth financimit të grupit të serbëve që sulmuan në Banjskë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj daj 45 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha në një konferencë për media se ka “dyshime të mirëbazuara” se këta persoan “kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovë, financimi i terrorizmit dhe shpërlarjes së parave”.
Ngritja e aktakuzën gati një vit pas sulmit, ai tha se erdhi për shkak të disa ekzaminimeve të kryera jashtë vendit.

“Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të cilat janë kryer jashtë vendit, ishte ndoshta shkaku kryesor i vonesës së kësaj aktakuze”, tha Isuefaj.
Prokurori i rastit, Naim Abazi tha se vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar Prokurorinë për të siguruar dëshmi “të rëndësishme” dhe “thelbësore” për çështjen e financimit të këtij grupi.

“Në kuadër të hetimeve, kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar, duke përfshirë vende të Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e tjera të cilat kemi arritur t’i sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për t’i siguruar provat të cilat ndihmojnë në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”, tha ai.

Abazi tha se fondet u transferuan në disa rrugë dhe se për gjurmimin e tyre është punuar shumë.

“Kemi zbuluar se fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve të ndërlikuara financiare, duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në prona të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar një analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushës”, tha ai.

Nga kjo aktakuzë, prokurori Abazi tha se presin që “të gjithë të përfshirët në këtë rast të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here