A kanë rrethuar rusët forcat ukrainase në Krusk? Raportet e inteligjencës amerikane

Sipas tre zyrtarëve të njohur me vlerësimet e inteligjencës së qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe Europës, forcat ukrainase në Kursk kanë humbur terren gjatë ditëve të fundit, por nuk janë të rrethuar nga forcat ruse. Ky vlerësim bie ndesh me deklaratat e fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit rus, Vladimir Putin.
Burime nga agjencitë e inteligjencës amerikane, përshirë CIA-n, konfirmuan se kjo analizë i është paraqitur Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar. Një zyrtar amerikan dhe një burim i njohur me çështjen thanë se ndonëse inteligjenca e SHBA-së dhe Europës tregon se trupat ukrainase janë nën presion të madh nga forcat ruse, ato nuk janë tërësisht të rrethuar. Pavarësisht kësaj, Trump ka deklaruar vazhdimisht se trupat ukrainase janë të rrethuar në Kursk, Rusi.

Ekspertët e sigurisë e kanë cilësuar si dezinformim pretendimin e Presidentit Putin më 13 mars, sipas të cilit forcat ukrainase ishin të bllokuara dhe do të duhej “të dorëzoheshin ose të vdisnin”. Sipas tyre, ky pretendim synon të krijojë perceptimin se Rusia po ofron mundësi për tërheqje të sigurtë për forcat ukrainase, në mënyrë që Putini të fitojë terren në negociatat për armëpushim.

Më 14 mars, në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se kishte biseduar me Putinin, duke i kërkuar atij të kursente jetët e mijëra ushtarëve ukrainas, të cilët i cilësoi si “plotësisht të rrethuar” dhe të pambrojtur. Putin, sipas Trump, u shpreh se do ta bënte këtë vetëm nëse ata dorëzoheshin. Trump e ripërsëriti këtë pretendim gjatë një fjalimi në Qendrën Kennedy në Uashington dhe në një intervistë për Fox News.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së nuk iu përgjigj pyetjeve specifike mbi vlerësimet e inteligjencës, por referoi Reuters tek një deklaratë e përbashkët nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Ëaltz. Deklarata nënvizonte bisedën mes Trump dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku të dy liderët ranë dakord të vazhdojnë të ndajnë informacione inteligjence mbi Kursk.

Presidenti Zelensky mohoi deklaratat e Putinit, duke i cilësuar si të pavërteta. Ai pranoi se situata në Kursk është e vështirë, por mohoi kategorikisht që forcat ukrainase të jenë të rrethuar. Sipas tij, ushtria ukrainase përgatitet për sulme të reja nga Rusia, e cila synon të spastrojë rajonin nga prania e saj ushtarake.

Që nga gushti, kur trupat ukrainase thyen kufirin perëndimor të Rusisë në Kursk, Kievi ka humbur shumë nga territori i fituar. Raporte të burimeve të hapura tregojnë se aktualisht Ukraina kontrollon vetëm 20 deri në 30 milje katrorë nga rreth 500 që kishte mbajtur më parë.

Më 19 mars, Trump dhe Putin zhvilluan një bisedë telefonike, ku lideri rus premtoi të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës për 30 ditë. Ky zotim, megjithatë, ishte më i kufizuar se armëpushimi 30-ditor që Trump kishte propozuar dhe që Zelensky kishte shprehur gatishmëri për ta pranuar.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here