8 miliardë ton plastikë po e ndotin planetin, dëmet shëndetësore në përmasa katastrofike

Plastika është kthyer në një kërcënim global për shëndetin e njeriut dhe mjedisit, duke shkaktuar sëmundje, vdekje dhe dëme ekonomike që vlerësohen në të paktën 1.5 trilionë dollarë në vit, paralajmëron një raport i ri i publikuar në revistën shkencore The Lancet.

Sipas raportit, ndotja plastike ka arritur në përmasa dramatike, me mbi 8 miliardë ton që tashmë ndotin çdo cep të planetit – nga maja e Everestit deri në thellësitë e oqeaneve. Më pak se 10% e plastikës riciklohet, ndërsa pjesa më e madhe përfundon në mjedis, ku shpërbëhet në mikro dhe nano-plastikë që hyn në trupin e njeriut përmes ushqimit, ujit dhe ajrit.

Shkencëtarët theksojnë se plastika përbën rrezik në çdo fazë të ciklit të saj – nga nxjerrja e karburanteve fosile e deri te prodhimi, përdorimi dhe asgjësimi.

Ajo ndot ajrin, përhap kimikate toksike dhe lehtëson përhapjen e sëmundjeve, madje duke krijuar vende shumimi për mushkonjat bartëse të viruseve.

Rritja dramatike e prodhimit të plastikës që nga viti 1950 – mbi 200-fish – është thelbësore për krizën aktuale. Deri në vitin 2060, prodhimi global i plastikës pritet të trefishohet, duke arritur mbi një miliard ton në vit, me rritjen më të shpejtë në produktet njëpërdorimshe si shishet plastike dhe ambalazhet e ushqimeve.

Sipas analizës, mbi 16,000 kimikate përdoren në prodhimin e plastikës – shumica e tyre me përbërje të panjohur publikisht – ndërsa një pjesë e tyre janë lidhur me efekte serioze në të gjitha fazat e jetës njerëzore, nga dëmtimet në zhvillimin e fetusit e deri te kanceret dhe problemet e fertilitetit.

Foshnjat dhe fëmijët e vegjël rezultojnë grupi më i ndjeshëm ndaj ndikimeve të plastikës, përfshirë rritjen e rrezikut për lindje të parakohshme, dëmtime në mushkëri, çrregullime hormonale dhe zhvillimore. Mikroplastika është zbuluar në gjak, tru, placentë, qumësht gjiri, spermë dhe palcë kockore, por ndikimi i saj afatgjatë mbetet ende i paqartë.

Vetëm tre kimikate plastike – PBDE, BPA dhe DEHP – kanë shkaktuar dëme shëndetësore të vlerësuara në 1.5 trilionë dollarë në vit në 38 vende, sipas raportit.

Ky publikim vjen në prag të raundit të gjashtë dhe potencialisht përfundimtar të negociatave ndërkombëtare për një traktat global, ligjërisht detyrues për plastikën. Mbi 100 vende po kërkojnë kufizim të prodhimit të plastikës, ndërsa vende si Arabia Saudite e kundërshtojnë këtë propozim.

Autorët e raportit theksojnë se plastika nuk është aspak “e lirë”, nëse merren parasysh kostot e dëmshme për shëndetin dhe mjedisin. Margaret Spring, bashkautore e raportit, deklaroi se analiza të tilla do t’u shërbejnë vendimmarrësve si burim i pavarur për hartimin e politikave efektive kundër ndotjes plastike.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here