“Mos fol, mund të jemi të përgjuar” – Zbardhet biseda në qeli mes nënës dhe djalit të arrestuar për vrasjen e babait

Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Dibrës për zbardhjen e vrasjes së 62-vjeçarit Urim Fiku kanë sjellë detaje të reja nga dosja penale, ku në pranga si të dyshuar për ngjarjen ndodhen bashkëshortja e tij, Sadete Fiku, dhe djali i tyre, Gazmir Fiku.

Sipas të dhënave hetimore, gjatë qëndrimit në ambientet e dhomës së shoqërimit, dy të arrestuarit janë vënë nën përgjim. Nga biseda e regjistruar, nëna i drejtohet të birit duke i kërkuar shpjegime se si përfunduan në këtë situatë, ndërsa Gazmir Fiku e ka prerë shkurt duke i thënë: “Mos fol tani, sqarohemi kur të dalim…”. Më pas, i riu i ka bërë me shenjë së ëmës se dhoma mund të jetë e përgjuar, duke shmangur bisedat e mëtejshme rreth krimit dhe duke shfaqur rezerva të theksuara përpara hetuesve.

Dyshimet për armët dhe dinamika e krimit

Grupi hetimor po vijon analizimin e provave materiale, duke pritur përgjigjet e ekspertimit mjeko-ligjor dhe të balistikës për dy armët e zjarrit, një pistoletë dhe një kallashnikov, të cilat u sekuestruan pranë vendit të ngjarjes. Arma automatike u gjet e fshehur në kasollen e banesës, me një plumb në fole, ndërsa rreth shtëpisë së viktimës u sekuestruan tri gëzhoja.

Gjetja e gëzhojave në distanca të ndryshme ka përforcuar dyshimet e hetuesve se 62-vjeçari është ndjekur me vrap dhe është qëlluar me breshëri, derisa është prekur nga një plumb pas shpine. Sipas dyshimeve të para, pasi është rrëzuar, autori e ka goditur sërish me sëpatë në kokë. Autopsia dhe ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojnë nëse vdekja ka ardhur si pasojë e goditjes me armë zjarri apo nga dëmtimet e rënda në kokë të shkaktuara me mjete të ftohta.

Përveç nënës dhe djalit që ndodhen në masën e sigurisë “Arrest në burg”, organet e rendit po hetojnë mundësinë e përfshirjes së një personi të tretë në këtë ngjarje të rëndë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME