Ervin Karamuço, ekspert i sigurisë, ka folur mbrëmjen e kësaj të marte në emisionin “NOW” me moderatoren Erla Mëhilli në Euronews Albania, lidhur me operacionin antiterror të zhvilluar një ditë më parë në Orosh. Sipas Karamuços, baza e gjetur do të përdorej për trajnim.
“Policia e antiterrorit, e cila ka kryer një operacion të suksesshëm duhet thënë, pa viktima është pika fundore e një procesi që zhvillohet me monitorimin e këtij kontingjenti. Fillimisht futen shërbimet inteligjente dhe SHBA-të kanë vëzhgim të shtuar në Ballkan.
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë. Ka raste të personave të riatdhesuar pas ardhjes nga ISIS. Këtu kemi një rast tjetër, sepse ka disa të radikalizuar, mes tyre edhe ish-pjesëtarë të Forcave të Armatosura, sigurisht në kushte patologjike mendore, ku mendojnë për xhihad.
Është siguruar informacioni se ata ishin të armatosur brenda shtëpisë. Policia i ka lokalizuar nëpërmjet disa aparaturave. Nuk ishte një shtëpi e zakonshme; njëri prej tyre, në mendjen e vet, ka dashur të modelojë një kamp trajnimi. Donin të shtonin radhët dhe të nisnin misionet,” – tha Karamuço.
