Kujdes: Tregu i Kosovës i mbushur me para false, dy banka dorëzojnë qindra 2-she, 100-she e 50-she të falsifikuara

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe, raporton Gazeta Sinjali.

Disa raste të tilla janë denoncuar vetëm gjatë ditës së sotme nga zyrtarë të Bankës Kombëtare Tregtare dhe të ProCredit Bank në Prishtinë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se nga BKT është raportuar për dy kartëmonedha që dyshohet se janë false (njëra 500-she), që dyshohet se janë deponuar nga klientët e kësaj banke në periudha të ndryshme.

Ndërsa zyrtari i ProCredit-it ka raportuar se në dy pika të kësaj banke, dyshohet se janë deponuar rreth 1700 euro, që përfshijnë më së shumti monedhën metalike prej 2 euro, por edhe kartëmonedha prej 100, 50 dhe 20 euro.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit rastet janë iniciuar si ‘Falsifikim i parasë’.

Kujtojmë se para disa javësh janë arrestuar gjashtë persona, tre kosovarë dhe tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se merreshin me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.

Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.

Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet. /GazetaSinjali/

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights