Radio Televizioni i Kosovës të premtes njoftoi se emisioni “Show i së premtes”, ku i ftuar ishte teologu Drilon Gashi, nuk u transmetua “pas një shqyrtimi të hollësishëm”.
Përmes një njoftimi, medium publik tha se ka vendosur kështu për shkak të “dilemave të mëdha sa i përket shkeljeve të standardave të RTK-së”.
Gashi të shtunën ka dalë me një reagim mbi këtë, ku duket se jep një arsye tjetër për anulimin e transmetimit të emisionit.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka lënë të kuptohet se arsyeja pse nuk është transmetuar emisioni, ka ndodhur për shkak të “një çështje familjare”, më konkretisht për shkak të rastit ku Gashi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
“Shtatë vjet më parë, pata një çështje familjare që rezultoi në një vërejtje gjyqësore, një çështje që e kam zgjidhur dhe mbyllur që atëherë, duke punuar pa pushim për të ndërtuar një jetë të lumtur dhe të qëndrueshme me familjen time. Është e dhimbshme që kjo ngjarje e kaluar po përdoret tani si justifikim për të më diskriminuar dhe mohuar mundësinë për të marrë pjesë në një diskutim publik që mendoj se ka rëndësi të madhe për të ardhmen e shoqërisë sonë.” – ka thënë ai.