Zyrtarët talibanë kanë thënë se dy persona u ekzekutuan publikisht të enjten për vrasje në një stadium futbolli në qytetin juglindor afgan, Ghazni.
Gjykata Supreme e talibanëve tha në një deklaratë se ekzekutimi i këtyre dy personave, emrat e të cilëve nuk janë publikuar, ishte urdhëruar nga tri gjykata dhe lideri suprem i talibanëve, Mullah Haitbatullah Akhundzada, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Dëshmitarët u urdhëruan që të mos e incizonin ekzekutimin e dy të dënuarve.
Ekzekutimi i parë publik i konfirmuar pas rikthimit të talibanëve në pushtet në Afganistan, në gusht të vitit 2021, u krye në dhjetor të vitit 2022 në provincën Farah.
Në qershor të vitit të kaluar, talibanët publikisht ekzekutuan një person për vrasjen e pesë njerëzve në provincën Laghman.