Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka dhënë parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme, duke thënë se gjatë këtyre ditëve, moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshme, dhe se, temperaturat do të mbeten dukshëm të ulëta, dhe me ‘’tendencë’’ të rënies të mëtejshme.
Nga IHMK thuhet se, vlerat minimale do të lëvizin nga -7°C deri në -13°C, ndërsa maksimalet kryesisht nga -4°C deri në 3°C.
‘’ Mëngjeset e së martës, së mërkurës dhe së enjtes pritet të jenë veçanërisht të ftohta. Temperaturat negative do të favorizojnë ngrica të theksuara në të gjitha rajonet e vendit’’, thuhet nga IHMK mes tjerash.
Njoftimi i plotë:
PARASHIKIMI I MOTIT PËR 5 DITË
📅 30.11.2026 – 04.12.2026
PËRMBLEDHJE METEOROLOGJIKE
Pas reshjeve të konsiderueshme të borës, të cilat arritën deri në 35 cm në viset e larta malore dhe deri në 22 cm në shumë zona të ulëta në pjesë jugore dhe jugperendimore, vendi do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të ftohta ajrore.
Gjatë periudhës 30 nëntor – 4 dhjetor 2026, moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell.
Temperaturat do të mbeten dukshëm të ulëta, me tendencë të rënies së mëtejshme në fillim të javës.
Vlerat minimale do të lëvizin nga -7°C deri në -13°C, ndërsa maksimalet kryesisht nga -4°C deri në 3°C.
Mëngjeset e së martës, së mërkurës dhe së enjtes pritet të jenë veçanërisht të ftohta.
Temperaturat negative do të favorizojnë ngrica të theksuara në të gjitha rajonet e vendit.
Në zonat malore dhe kodrinore pritet ruajtje më e gjatë e shtresës së borës.
Ngrirja e sipërfaqes së borës do të favorizojë krijimin e shtresave të akullit. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1–6 m/s.
Të mërkurën dhe të enjten pritet intensitet më i theksuar i ngricave për shkak të temperaturave shumë të ulëta.
Të premten parashihet një rritje e lehtë e temperaturave maksimale, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në 3°C. Megjithatë, kjo rritje nuk do të jetë e mjaftueshme për eliminimin e ngricave. Kushtet e krijuara do të favorizojnë ngrirjen e rrugëve, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit. Rreziku do të jetë më i theksuar në viset malore, urat dhe rrugët me hije.
Në përgjithësi, java do të karakterizohet me mot të ftohtë dimëror, ngrica të shpeshta dhe mbajtje të konsiderueshme të mbulesës së borës.
Në fund të javës së pare të dhjetorit priten serish reshje bore.
🌤️ E HËNË – 30.11.2026
Moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshueshme, të cilat do të alternohen me intervale me diell. Si pasojë e masave të ftohta ajrore, në të gjithë territorin parashihen kushte për paraqitjen e ngricave, veçanërisht gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit.
🌡️ Tmin -7 deri -3°C | Tmax -2 deri 1°C
💨 Era: Verilindja 1-5m/s
🌤️ E MARTË – 01.12.2026
Do të mbajë mot kryesisht me diell, me kalime të herëpashershme të vranësirave të pjesshme. Nën ndikimin e masës së ftohtë ajrore, temperaturat do të shënojnë rënie të mëtejshme, duke krijuar kushte për ngrica të theksuara në të gjithë territorin, sidomos gjatë orëve të mëngjesit.
🌡️ Tmin -11 deri -6°C | Tmax -4 deri 0°C
💨 Era: Veriperendimi 1–4m/s
🌤️ E MËRKURË – 02.12.2026
Moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara, të cilat lokalisht mund të jenë të pranishme gjatë ditës. Temperaturat e ulëta do të favorizojnë formimin e ngricave në të gjitha rajonet e vendit. Rekomandohet kujdes i shtuar për pjesëmarrësit në komunikacion, për shkak të mundësisë së ngrirjes së sipërfaqeve të rrugëve.
🌡️ Tmin -13 deri -5°C | Tmax -4 deri -1°C
💨 Era: Veriperendimi 1-4m/s
🌤️ E ENJTE – 03.12.2026
Do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të herëpashershme, kryesisht të karakterit të pjesshëm. Gjatë orëve të para të ditës pritet të ketë ngrica, si pasojë e temperaturave negative. Kujdes i shtuar u rekomandohet pjesëmarrësve në komunikacion, veçanërisht drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zonat kodrinore-malore dhe në viset me lartësi më të madhe mbidetare, ku mundësia e ngricave mbetet më e theksuar.,
🌡️ Tmin -13 deri -6°C | Tmax -4 deri 1°C
💨 Era: Verilindjes 1-6m/s
🌤️ E PREMTE – 04.12.2026
Kushtet meteorologjike do të karakterizohen me mot kryesisht të vranët, me intervale kohore me diell. Gjatë orëve të mëngjesit do të ketë kushte për paraqitjen e ngricave, ndërsa gjatë ditës, si pasojë e rritjes graduale të temperaturave maksimale, pritet një zbutje e lehtë e kushteve termike.
🌡️ Tmin -11 deri -6°C | Tmax -3 deri 3°C
💨 Era: Veriperendimi 1-6m/s
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës – IHMK
