​Putin konfirmon: Të martën nis raundi i ri i bisedimeve trepalëshe Rusi-SHBA-Ukrainë në Abu Dhabi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka konfirmuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe ndërmjet Rusisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës për luftën që po zhvillohet, pritet të nisë të martën e ardhshme në Abu Dhabi.

Gjatë një takimi me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Putin bëri të ditur se ka ftuar përfaqësuesit e delegacionit rus që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në këto negociata.

“Duke qenë se negociatat pritet të zhvillohen të martën, i ftova kolegët që do të marrin pjesë në këtë raund bisedimesh,” është shprehur kreu i Kremlin-it.

Sipas raportimeve të agjencisë Tass, në takimin përgatitës të Këshillit të Sigurimit me presidentin Putin kanë marrë pjesë zyrtarët e lartë Vladimir Medinsky, Igor Kostyukov, Yuri Ushakov, Mikhail Galuzin dhe Sergei Ryabkov.

Nga ana tjetër, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, ka bërë të ditur më herët se fokusi kryesor i palëve në Abu Dhabi do të jetë diskutimi mbi garancitë e sigurisë, uljen e tensioneve ushtarake, çështjet humanitare si dhe hapat konkretë drejt një zgjidhjeje të mundshme paqësore.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME