Rusia e zhvendos luftën përtej frontit – sa e sigurt është Kosova?

Kosova nuk është në luftë, por kërcënimet që po shqetësojnë Evropën mund të mos e anashkalojnë as atë.

Me mijëra trupa të NATO-s në territorin e saj, tensione të vazhdueshme me Serbinë dhe infrastrukturë kritike që tashmë ka qenë objekt sulmesh, vendi përballet me rreziqe që nuk marrin domosdoshmërisht formën e një përballjeje ushtarake.

Në pjesë të tjera të Evropës, ato janë shfaqur përmes sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të fshehta, të cilat janë shtuar që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, në vitin 2022.Autoritetet evropiane kanë hetuar një varg incidentesh, disa prej të cilave janë lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës.

Në shënjestër kanë qenë rrjetet e transportit, institucionet shtetërore dhe kompanitë që furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake.Përmes këtyre veprimeve, Moska – e cila vazhdimisht e mohon përfshirjen – dyshohet se synon të pengojë mbështetjen për Kievin dhe të krijojë pasiguri në vendet perëndimore, pa hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me to.

Sipas një analize të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), numri i sulmeve dhe planeve për sulme me pasoja fizike në Evropë, të identifikuara si të lidhura me Rusinë, është rritur nga vetëm tri në vitin 2022 në 34 në vitin 2024.

Rritja e këtyre incidenteve ka nxjerrë në pah edhe vështirësitë e parandalimit të tyre.

Një analizë e Këshillit Atlantik, e publikuar në fillim të tetorit, vlerëson se NATO-ja ka forcuar mbrojtjen ushtarake, por ende ka vështirësi në frenimin e operacioneve që mbeten nën pragun e një konflikti të hapur.

Problemi nuk qëndron vetëm te parandalimi i sulmeve, por edhe tek identifikimi i atyre që qëndrojnë pas tyre dhe përcaktimi i mënyrës së reagimit.

“Përgjigjet e NATO-s dhe të vendeve anëtare kanë qenë kryesisht reaktive dhe mbrojtëse. Ato janë përqendruar në zbulimin dhe kundërshtimin e provokimeve të caktuara, por nuk kanë arritur të dëshmojnë aftësi efektive për t’i frenuar ato”, thuhet në analizë.

Përtej dëmeve materiale, operacionet e tilla mund të krijojnë frikë dhe pasiguri, duke i detyruar autoritetet të reagojnë ndaj incidenteve, përgjegjësit e të cilave shpesh mbeten të paidentifikuar.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi gjatë një vizite në Talin, muajin e kaluar, se reagimet e tepruara ndaj çdo incidenti mund t’i shërbejnë Moskës.

Ai ritheksoi, njëkohësisht, vendosmërinë e Aleancës për të mbrojtur territorin e vendeve anëtare.

“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të aleatëve, pavarësisht nëse aty jetojnë njerëz apo jo, pavarësisht nëse ndodhet pranë Parisit, Talinit, Uashingtonit apo Otavës”, tha Rutte.Nga një mesazh në Telegram te një akt sabotimi

Për të kryer një operacion sabotimi, nuk nevojiten domosdoshmërisht agjentë të trajnuar të inteligjencës.

Ndonjëherë, gjithçka mund të nisë me një mesazh në Telegram, një detyrë të thjeshtë dhe një pagesë prej disa qindra eurosh.

Fotografimi i një objekti, mbledhja e informacioneve apo një akt vandalizmi mund t’i besohet një personi pa përvojë, i cili pranon të veprojë kundrejt pagesës.

Kjo është një nga metodat që, sipas ekspertëve, përdorin shërbimet ruse të inteligjencës për të organizuar operacione në territorin evropian.

Kinga Redlowska, studiuese në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), shpjegon se përmes kësaj taktike, organizatorët mund të angazhojnë njerëz me kosto të ulët, duke ruajtur distancën nga veprimet që kryhen në terren.

“Rusia përdor një taktikë shumë të lirë, por efektive, duke angazhuar ata që i quajmë agjentë të njëpërdorshëm. Operativët rusë rekrutojnë banorë të vendeve të Bashkimit Evropian ose të Britanisë, shpesh nga grupe të cenueshme, si studentë apo të papunë që kërkojnë të fitojnë para”, thotë Redlowska për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Detyrat mund të nisin me fotografimin e një objekti ose mbledhjen e informacioneve dhe të përshkallëzohen deri në vandalizëm apo zjarrvënie.

Edhe pagesat varen nga natyra dhe rreziku i detyrës.“Ekziston pothuajse një listë çmimesh për detyrat. Ndonjëherë shumat janë vetëm 100 ose 200 euro. Për detyra më të mëdha mund të jenë 1.000 euro, ndërsa për misione më të ndërlikuara mund të arrijnë në disa mijëra euro”, thotë Redlowska.

Sipas një studimi të RUSI-t, pagesat kryhen kryesisht përmes kriptovalutave, megjithëse janë dokumentuar edhe transferime bankare dhe pagesa me para të gatshme.

Një mënyrë e tillë organizimi e bën më të vështirë zbulimin e lidhjeve mes atyre që kryejnë sulmet dhe atyre që i urdhërojnë.

Kështu, një incident që në pamje të parë duket i izoluar, mund të jetë pjesë e një operacioni shumë më të gjerë.

Për Alexander Palmerin, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, synimi i Moskës shkon përtej dëmit që mund të shkaktojë një veprim i vetëm.

“Çdo pengesë apo trazirë në një vend të orientuar drejt Perëndimit shihet si diçka pozitive për Rusinë, edhe nëse ajo nuk përfiton drejtpërdrejt. Mendoj se kjo buron nga një mënyrë të të menduari, sipas së cilës humbja e njërës palë është automatikisht fitore për tjetrën”, thotë Palmer për Exposenë.

Por, për të shkaktuar dëme, nuk është gjithmonë e nevojshme as prania fizike në vendin që synohet të goditet.

Sulmet mund të kryhen edhe nga distanca, përmes sistemeve digjitale.

Gjermania dhe Çekia, për shembull, kanë identifikuar sulme kibernetike që ua kanë atribuuar hakerëve të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse.

Në Gjermani, në shënjestër ka qenë Partia Socialdemokrate, ndërsa në Çeki institucionet shtetërore, përmes shfrytëzimit të një dobësie në programin Microsoft Outlook.

Çfarë rrezikon Kosova?

Për Kosovën, kërcënime të tilla nuk janë vetëm çështje e zhvillimeve në pjesë të tjera të Evropës.

Institucionet e saj të sigurisë kanë identifikuar tashmë një varg rreziqesh që mund të shfrytëzohen për destabilizim.

Në dokumentin strategjik SOCTA 2025, Policia e Kosovës përmend operacionet e fshehta, sulmet kibernetike, propagandën dhe përdorimin e grupeve joformale.

Si cenueshmëri identifikohen situata e sigurisë në veri, pakënaqësitë sociale dhe krizat energjetike.

Dokumenti paralajmëron edhe për mundësinë e shtimit të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve, bankave dhe mediave, si dhe të përpjekjeve për të nxitur mosbesim ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Disa prej këtyre rreziqeve kanë marrë formë konkrete në Kosovë qysh më herët.

Në maj të vitit 2024, faqet e internetit të Presidencës, Kryeministrisë dhe disa institucioneve të tjera mbetën përkohësisht të paarritshme pas sulmeve kibernetike.

Incidentet ndodhën pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në mbështetje të Ukrainës.

Disa grupe proruse morën përgjegjësinë për sulmet, ndërsa Qeveria e Kosovës fajësoi hakerët rusë.

Megjithatë, përcaktimi i autorëve të një sulmi kibernetik është më i ndërlikuar sesa identifikimi i adresës nga e cila ai kryhet.

Kujtim Gashi, ish-drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit në Kosovë, shpjegon se sulmuesit mund të përdorin serverë ndërmjetësues dhe pajisje të komprometuara për të fshehur origjinën.

“Fakti që një sulm vjen nga një IP-adresë apo një infrastrukturë e vendosur në një shtet të caktuar, nuk dëshmon 100 për qind se origjina e atij sulmi vjen po nga ajo adresë apo ai shtet”, thotë Gashi për Exposenë.

Rreziqet për Kosovën nuk kufizohen vetëm në hapësirën digjitale.

Në nëntor të vitit 2024, një shpërthim dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit, nga i cili varen furnizimi me ujë i disa qyteteve dhe nevojat e prodhimit të energjisë elektrike.

Autoritetet kosovare e cilësuan incidentin si sulm terrorist dhe akuzuan Serbinë për përfshirje. Beogradi e mohoi përgjegjësinë.

Për rastin janë ngritur akuza ndaj tre personave.

Megjithatë, nuk janë paraqitur prova publike që ta lidhin atë me shërbimet ruse të inteligjencës apo me operacionet e sabotimit të hetuara në Evropë.

Rasti, sidoqoftë, nxori në pah se çfarë pasojash mund të ketë goditja e një infrastrukture nga e cila varen shërbimet jetike.

Por, a kanë identifikuar institucionet kosovare përpjekje për rekrutim, sabotim apo mbledhje informacionesh rreth objekteve të tilla?

Kjo mbetet e paqartë.

Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga Policia dhe Prokuroria e Kosovës për këto çështje, ndërsa Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe misionit të NATO-s, KFOR, u drejtoi pyetje për kërcënimet kibernetike.

Asnjëri prej këtyre institucioneve nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij artikulli.

Ekspertët e sigurisë, ndërkohë, paralajmërojnë se Ballkani Perëndimor ka karakteristika që mund ta bëjnë të cenueshëm ndaj operacioneve destabilizuese.

Palmer vlerëson se Rusia e sheh rajonin si terren të përshtatshëm për to, për shkak të historisë së tij të afërt dhe ndarjeve të brendshme politike.

Ai përmend dyshimet për organizim trazirash, plane për grushte shteti dhe përfshirje të grupeve të armatosura në rajon.

Por, nuk e konsideron domosdoshmërisht praninë e NATO-s si arsyen kryesore që mund ta bëjë Kosovën objektiv.

“Nuk është e qartë për mua nëse prania e bazës së NATO-s është një nga faktorët kryesorë që e bëjnë Kosovën të cenueshme. Mendoj se ky rajon perceptohet si një pjesë më e paqëndrueshme e botës dhe Rusia, sipas meje, ka qasje më të lehtë në vende të tilla, për shkak të historisë relativisht të re të institucioneve dhe ndarjeve të brendshme politike”, thotë Palmer.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në dhjetor të vitit 2025, vlerëson se Rusia e shtrin ndikimin e saj në Kosovë kryesisht përmes lidhjeve me popullsinë serbe dhe shfrytëzimit të tensioneve ndëretnike.

Sipas raportit, dezinformimi, ndërhyrjet politike, sulmet kibernetike dhe presioni ekonomik janë ndër metodat që përdoren për të nxitur përçarje dhe për të penguar integrimin euroatlantik të rajonit.

Sa e përgatitur është Kosova?

Nëse një sulm do të ndërpriste funksionimin e institucioneve apo të shërbimeve jetike në Kosovë, sa shpejt do të mund të riktheheshin ato?

Kjo është një nga pyetjet kryesore që shtrohet për kapacitetet mbrojtëse të vendit.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në gusht të vitit 2026, identifikon dobësi në koordinimin institucional, komunikimin gjatë krizave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Në skenarin më negativ për vitin 2030, autorët përshkruajnë një Kosovë të përballur me incidente të përsëritura të sigurisë, sabotime, ndërprerje të shërbimeve nga sulmet kibernetike dhe përhapje të dezinformimit.

Ky nuk është një parashikim, por një skenar që ilustron se çfarë pasojash mund të kenë dobësitë ekzistuese nëse nuk adresohen.

Një nga pikat e ndjeshme është infrastruktura digjitale shtetërore.

Qendra Shtetërore e të Dhënave, e administruar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, strehon platformën eKosova dhe regjistrat shtetërorë.

Një ndërprerje e rëndë e funksionimit të saj mund të ndikojë në shërbimet që qytetarët dhe institucionet marrin përmes këtyre sistemeve.

Ministria e Digjitalizimit thotë për Radion Evropa e Lirë se qendra ka mekanizma të sigurisë fizike dhe kibernetike.

Por, nuk sqaron se sa kohë do të duhej për rikthimin e shërbimeve kritike pas një ndërprerjeje, e as kur është testuar për herë të fundit një plan i tillë.

Sipas Gashit, Kosova ka kapacitete për mbrojtjen e sistemeve, por mbetet problem mungesa e një infrastrukture rezervë sipas standardeve.

“Kosova nuk e posedon sipas standardeve një qendër shtetërore të rimëkëmbjes së të dhënave në rast të fatkeqësive, apo një ‘disaster recovery center’, e cila mund të shërbejë si infrastrukturë për vazhdimësinë e shërbimeve”, thotë ai.

Ministria e Digjitalizimit konfirmon se një qendër e tillë është ende në fazën e projektimit, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Banka Botërore.

Përgatitjet për t’u përballur me kërcënimet kibernetike mbeten të papërfunduara edhe në aspektin ligjor dhe institucional.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i vitit 2025, konstatoi se vendi ka miratuar tetë nga 14 aktet nënligjore për sigurinë kibernetike dhe kërkoi funksionalizimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Këshillit Kombëtar për Siguri Kibernetike.

Një hap përpara u shënua në gusht, kur ekipi qeveritar GovCERT u akreditua në rrjetin ndërkombëtar Trusted Introducer, i cili mundëson shkëmbimin e informacioneve për kërcënimet dhe incidentet kibernetike mes ekipeve të specializuara në Evropë.

Ky bashkëpunim ka rëndësi të veçantë përballë kërcënimeve që nuk njohin kufij.

Në operacionet e sabotimit të hetuara në Evropë, personat që kryejnë sulmet, ata që i organizojnë dhe burimet e financimit mund të ndodhen në vende të ndryshme.

Prandaj, sipas Redlowskës, një nga mënyrat për t’i zbuluar këto rrjete është ndjekja e rrjedhës së parave.

“Autoritetet duhet të ndjekin gjurmët e parave që në fillim. Pagesat mund të lidhin individë që, në pamje të parë, nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Por, kur pagesat kryhen përmes kriptovalutave, hetimi kërkon bashkëpunim edhe përtej kufijve shtetërorë.

“Kriptovalutat nuk njohin kufij. Edhe krimi i organizuar vepron përtej kufijve, ndaj edhe përgjigjja duhet të jetë ndërkufitare. Nuk mund të veprojmë të izoluar, sepse aktet e sabotimit të lidhura me Rusinë janë të shpërndara në gjithë Evropën”, thotë Redlowska.

Sipas saj, ky bashkëpunim duhet të përfshijë edhe sektorin privat, veçanërisht institucionet financiare, të cilat posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e lidhjeve mes personave të përfshirë.

Për Kosovën, tabloja mbetet e përzier.

Kërcënimet janë identifikuar, disa mekanizma mbrojtës janë forcuar, por vazhdojnë të evidentohen mangësi në përgatitje dhe të mungojnë përgjigje për kapacitetet e reagimit.

Në një mjedis ku sulmet mund të organizohen nga distanca, me kosto të ulët dhe pa paralajmërim, adresimi i këtyre çështjeve mund të bëjë dallimin. /REL

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME