Greqia në protestë këtë të mërkurë, mësuesit, studentët dhe mjekët dalin në rrugë

Protesta dhe greva janë parashikuar të zhvillohen këtë të mërkurë në Athinë, Selanik dhe qytete të tjera të Greqisë. Mësues, nxënës, studentë, punonjës të administratës publike dhe mjekë pritet të dalin në tubime për të kërkuar rritje pagash, punësime të reja dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Tubimi kryesor në Athinë është parashikuar në orën 12:00, në sheshin Propylaia, ndërsa protestuesit kërkojnë financim më të madh për arsimin dhe shëndetësinë publike, përmirësimin e kushteve në shkolla dhe masa për përballimin e kostos së jetesës.

Mësuesit e arsimit fillor kanë shpallur grevë 24-orëshe, ndërsa mësuesit e arsimit të mesëm do të zhvillojnë një grevë të pjesshme nga ora 11:00 deri në 14:00. Në protesta marrin pjesë edhe mjekët e spitaleve publike, të cilët kërkojnë rritje të pagave dhe punësime të përhershme për të përballuar mungesat e personelit.

Një nga shqetësimet kryesore të studentëve është kostoja e lartë e studimeve dhe vështirësia për të gjetur banesa me qira të përballueshme. Protestat e tyre nisën që të martën, me ngritjen e çadrave në Athinë, Selanik, Patra dhe Janinë.Ndërprerje në metronë e Selanikut

Për shkak të masave të autoriteteve policore, pesë stacione të metrosë në Selanik janë mbyllur përkohësisht që prej orës 09:00. Në Athinë, sipas njoftimeve të publikuara, transporti publik pritet të funksionojë normalisht, por tubimet dhe marshimet mund të shkaktojnë kufizime në qarkullimin rrugor në qendër të kryeqytetit.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu rritje të financimit për shkollat, përmirësimin e sigurisë së ndërtesave shkollore, mbulimin e vendeve vakante në arsim dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME