Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje sot qytetarëve shqiptarë përmes një videomesazhi që t’u bashkohen protestave të të rinjve, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e dhunës policore dhe “terrorit të kuq”.
Sipas Berishës, mbi 2 mijë gjimnazistë, studentë dhe të mitur janë dëmtuar, ndaluar ose arrestuar nga forcat e rendit gjatë një jave protestash. Lideri i opozitës dënoi përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës ndaj protestuesve dhe gazetarëve, ndërsa vlerësoi reagimin e pedagogëve që i janë bashkuar tubimeve në mbrojtje të studentëve.
Në përmbyllje të mesazhit, Berisha i ftoi të gjithë qytetarët, pa dallim bindjesh politike, të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar për ditën e mërkurë, në orën 10:00, përpara godinës së Universitetit.
