Begaj zhvillon takime të veçanta me ambasadorët e huaj dhe dy ish-presidentët e vendit

Presidenti i vendit, Bajram Begaj, po zhvillon takime periodike me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.

Siç bëjnë me dije burime nga Presidenca, Kreu i Shtetit ka takuar në ditë të veçanta ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt, atë të BE-së, Sofia Moreira de Sousa dhe ambasadorin gjerman, Karl Bergner.

Takim ka pasur edhe me dy ish-presidentët e vendit, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi.

Këto takime janë zhvilluar teksa kryeqyteti është përfshirë nga vala e protestave të dhunshme. Kjo e martë shënon ditën e 8-të të tubimit që është shoqëruar vazhdimisht me përplasje frontale mes protestuesve dhe policisë.

Kërkesa kryesore e qytetarëve që kanë dalë për të protestuar vijon të mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit e ka bërë të qartë se nuk “heq dorë nga misioni i tij për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian në vitin 2030”. Ai u ka kërkuar edhe dialog, duke nxjerrë karrige jashtë ambienteve të godinës së Këshillit të Ministrave.

Pavarësisht thirrjeve për të biseduar nga afër problematikat, deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat.

Thuajse çdo mbrëmje, në Tiranë ka tensione mes forcave policore dhe kryesisht të rinjve, ndërsa nga të dyja palët ka pasur të lënduar.

Begaj, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve, shmangien e dhunës dhe angazhimin e të gjithë aktorëve të përfshirë në dialog. Sipas tij, zëri i çdo qytetari, veçanërisht i të rinjve, meriton të dëgjohet, por ka nënvizuar se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, pasi cenon sigurinë e qytetarëve dhe bashkëjetesën demokratike.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME