Ndërsa inteligjenca artificiale po zhvillohet me ritme të shpejta, presioni në mbarë botën për të vendosur kufij ndaj sistemeve më të fuqishme të AI po rritet. Por mënyra se si po reagojnë fuqitë kryesore është shumë e ndryshme.
Bashkimi Evropian ka zgjedhur rregulla detyruese. Në vitin 2024, Brukseli miratoi Aktin e Inteligjencës Artificiale, të cilin e konsideron paketën e parë gjithëpërfshirëse të rregullave për AI në botë.
Megjithatë, kompanitë evropiane kanë kërkuar lehtësim të rregullave, duke argumentuar se ato mund të ngadalësojnë inovacionin dhe ta vendosin Evropën pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Bashkimi Evropian ka ndërmarrë edhe masa të tjera. ChatGPT është futur në listën e shërbimeve digjitale me përmasa shumë të mëdha, të cilat i nënshtrohen një mbikëqyrjeje më të fortë ligjore.
Ndërkohë, Brukseli ka propozuar masa për t’i bërë chatbot-et dhe shoqëruesit virtualë më të sigurt për fëmijët, duke synuar ndalimin e sistemeve që krijojnë varësi emocionale.
Në Shtetet e Bashkuara, qasja është ndryshe.
Presidenti Donald Trump është mbështetur kryesisht te marrëveshjet vullnetare me kompanitë dhe urdhrat ekzekutivë, me synimin për të nxitur zhvillimin dhe investimet në sektorin e inteligjencës artificiale.
Në korrik të vitit 2025, Shtëpia e Bardhë prezantoi një plan me më shumë se 90 masa për të përshpejtuar zhvillimin e AI, rritur investimet në infrastrukturë dhe reduktuar rregullat për sektorin.
Në shtator, drejtuesit e gjashtë kompanive më të mëdha amerikane të AI nënshkruan një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, duke u zotuar për auditime të pavarura dhe mbikëqyrje nga bordet e kompanive. Marrëveshja është vullnetare dhe nuk parashikon penalitete në rast moszbatimi.
Pekini po vendos rregulla për inteligjencën artificiale nën kontroll të fortë shtetëror, ndërsa drejtuesit kinezë kanë paralajmëruar për rreziqet e humbjes së kontrollit mbi teknologjitë më të avancuara.
Presidenti Xi Jinping ka deklaruar se inteligjenca artificiale duhet të jetë gjithmonë nën kontrollin e njeriut dhe ka kërkuar më shumë ligje, monitorim teknologjik dhe sisteme paralajmërimi.
Tre fuqitë kryesore të inteligjencës artificiale po ndjekin kështu tre rrugë të ndryshme: Evropa përmes rregullave detyruese, Shtetet e Bashkuara përmes angazhimeve vullnetare dhe nxitjes së industrisë, ndërsa Kina përmes kontrollit shtetëror dhe rregullave të saj të posaçme.
