Krenare Çerkini, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Thora Tenbrink, në një punim shkencor kanë trajtuar mënyrën se si ndërtohet diskursi politik në raportet Kosovë-Serbi, me fokus te retorika e liderëve politikë Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq.
Punimi shkencor u publikua në shkurt të vitit 2026, pak muaj para se Çerkini të aderonte në Lëvizjen Vetëvendosje.
Çerkini aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje në maj të këtij viti, disa javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, ku arriti të siguronte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputete.
Në punimin shkencor ku ajo është bashkë-autore, argumentohet se, pavarësisht se Kurti dhe Vuçiç përfaqësojnë palë kundërshtare, retorika e tyre politike është e ngjashme.
Në një pjesë të punimit thuhet se të dy liderët përdorin një regjistër të ngjashëm populist dhe moral, duke shfaqur atë që autorët e përshkruajnë si izomorfizëm diskursiv. Sipas analizës, kjo nënkupton se përdoren procese të ngjashme në ndërtimin e mesazheve politike, edhe pse qëllimet politike të palëve janë të ndryshme.
Autoret përmendin edhe përdorimin e shprehjeve që synojnë të krijojnë afërsi me publikun, si “qytetarët tanë” dhe “fëmijët tanë”, si dhe shprehje që lidhen me mbrojtjen e popullit dhe të interesave kolektive.
Një tjetër element i analizuar është mënyra se si paraqitet pala kundërshtare. Sipas punimit, retorika e të dyja palëve përfshin paraqitjen negative të “tjetrit”, duke e vendosur grupin e vet në një pozitë pozitive dhe palën kundërshtare në një pozitë negative.
Pjesa e plotë e punimit ku flitet për ngjashmëritë mes Kurtit dhe Vuçiqit:
Një model i dukshëm shfaqet kur krahasohet retorika e Kurtit dhe Vuçiçit, të cilët, pavarësisht se janë pjesë e partive kundërshtare, pasqyrojnë në mënyrë të kundërt retorikën e njëri-tjetrit. Të dy përdorin një regjistër të ngjashëm populist-moral, duke treguar një izomorfizëm diskursiv me procese njohëse të njëjta, por me qëllime të ndryshme. Kjo ngjashmëri mes aktorëve mund të ilustrohet më tej përmes mjeteve retorike që ata përdorin si përforcues emocionalë për t’iu drejtuar audiencave vendore, si kolektivizimi deiktik (“qytetarët tanë”, “fëmijët tanë”) dhe (“kurrë më”, “duhet ta mbrojmë popullin tonë”), së bashku me paraqitjen negative të palës tjetër (“ata na poshtërojnë”, “ata e mohojnë të vërtetën tonë”). Kjo ngjashmëri sugjeron një izomorfizëm diskursiv që ndan qëllime të ndryshme, por përdor procese të ngjashme njohëse, duke mbështetur më tej teorinë socio-kognitive të van Dijkut për një njohje të përbashkët ideologjike. Të dhënat sasiore tregojnë se profilet e akteve të të folurit të Kurtit dhe Vuçiçit përputhen me njëri-tjetrin sa i përket shprehjeve emocionale – 47–52% – me 100 shënues leksikorë të dendësisë që tejkalojnë shënuesit leksikorë për 10,000 fjalë. Prandaj, sovraniteti i kontestuar vazhdon të jetë i pranishëm për shkak të temave identike diskursive të përbashkëta nga të dyja palët përmes semantikës së kundërt, si vetëparaqitja pozitive, paraqitja negative e tjetrit, drejtësia morale dhe legjitimiteti mbrojtës. Analiza e konvergjencës plotësohet nga përmbledhja e mëposhtme sasiore, e cila ofron vërtetim statistikor për ndryshimet ideologjike dhe njohëse të diskutuara më herët.

