Sulmohet kapiteni i Policisë Besart Ahmeti – sherri nisi për parking në qendrën tregtare, përfshihet edhe IPK

Një incident serioz ka ndodhur në hapësirat e qendrës tregtare Prishtina Mall, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht kapitenin e Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje rreth parkingut, e cila më pas ka eskaluar në përplasje.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në incident janë përfshirë dy persona, të cilët dyshohet se kanë sulmuar kapitenin Ahmeti.

Pas eskalimit të situatës, në vendin e ngjarjes janë angazhuar zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Graçanicë, ndërsa më pas është përfshirë edhe Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh).

Të gjitha palët e përfshira në incident janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë, ku kanë nisur procedurat për sqarimin e plotë të rrethanave dhe marrjen e deklaratave.

Burimet bëjnë të ditur se, për shkak se njëra nga palët e përfshira është zyrtar policor me gradën kapiten, për rastin është njoftuar dhe është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Motivi fillestar dyshohet të ketë qenë një ngatërresë lidhur me parkingun, por rrethanat e sakta të përplasjes dhe roli i secilit prej personave të përfshirë pritet të sqarohen gjatë procedurës hetimore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME